USA 2020: "Gjysh, ti je Presidenti!"Fotoja e mbesës së Biden pas fitores bën xhiron e botës
U postua në Twitter në momentin e fitores. Joe Biden e mësoi se mori kryesimin e Shtëpisë së Bardhë nga nipërit dhe mbesat e tij.
CNN shkruan se mbesa Naomi Biden postoi një foto të Presidentit të zgjedhur, i cili e kaloi ditën në shtëpi, duke u përqafuar nga anëtarët më të rinj të familjes sapo mësoi për triumfin.
Fotoja menjëherë u bë virale në internet.
Presidenti i zgjedhur Joe Biden mbajti të shtunën në mbrëmje fjalimin e fitores në Uilmington të shtetit Delauer përpara përkrahësve të shumtë.
"Njerëzit e këtij vendi folën. Ata na dhanë një fitore të qartë, një fitore bindëse," tha zoti Biden përpara mbështetësve të mbledhur në një parking dhe që brohorisnin.
"Zotohem të jem një president që nuk kërkon të ndajë, por të bashkojë," tha ai.
"Unë e kërkova këtë post për të rikthyer shpirtin e Amerikës dhe për ta bërë Amerikën të respektuar përsëri në botë”, tha zoti Biden.
Pa përmendur drejtpërdrejt rivalin e tij republikan, zoti Biden iu drejtua 70 milion amerikanëve të cilët votuan në mbështetje të Presidentit Trump, disa prej të cilëve dolën në rrugë të shtunën për të demonstruar kundër rezultateve:
"Të gjithë atyre që votuan për Presidentin Trump, unë e kuptoj zhgënjimin sonte. Unë vetë kam humbur disa herë. Por tani, le t'i japim njëri-tjetrit një shans. Tani, le t'i japim njëri-tjetrit një shans. Është koha të heqim dorë nga retorika e ashpër, të ulim temperaturën, të shikojmë dhe dëgjojmë njëri-tjetrin përsëri. Kjo është koha e shërimit në Amerikë," tha ai.
Zoti Biden tha se populli amerikan dëshiron që demokratët dhe republikanët të bashkëpunojnë, dëshiron që "demonizimi në Amerikë" të fillojë të marrë fund.
"Unë do të punoj po aq shumë për ata që nuk më votuan sa edhe për ata që më votuan,” tha ai.
Zoti Biden njoftoi gjithashtu se të hënën do të shpallë një grup shkencëtarësh dhe ekspertësh për ta ndihmuar atë të hartojë një plan për trajtimin e pandemisë së koronavirusit.
Ai tha se këta këshilltarë do të shqyrtojnë propozimet për trajtimin e pandemisë që ai bëri gjatë fushatës për t’i kthyer ato në një "projekt" që ai do ta miratojë kur të inaugurohet si president janarin e ardhshëm.
