Rrjedhja e një bombole gazi dyshohet se është shkaku i zjarrit që përfshiu në orët e para të mëngjesit një pallat në Shkodër. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por dëme të mëdha materiale. Drejtori i shërbimit zjarrfikës, dha alarmin se objekti është jashtë standardeve të sigurisë.

Këto pamjet tregojnë përmasat e zjarrit që përfshiu në orët e para të mëngjesit një pallat në Shkodër.

Dyshimet janë zjarri nisi nga rrjedhja e një bombole gazi në një prej lokaleve në katin e parë dhe më tej u përhap duke përfshirë edhe ashensorin e pallatit.

Drejtori i shërbimit zjarrfikës: Disa nga lokalet,  nga informacionet që kemi ne janë ngrohur me bombola gazi dhe ka mundësi që një nga bombolat të ketë qenë jo e rregullt dhe ka shkaktuar një zjarr të tillë.

Por shefi i shërbimit Zjarrfikës në Shkodër ngre alarmin për mungesën e standardeve të ndërtimit të pallatit.

Drejtori i shërbimit zjarrfikës: Larg qoftë sikur të kishte qenë zjarri mbrapa aty do të ishin parë gjëra të tmerrshme. Do ishin shkrumbuar të gjitha hyrjet pa përjashtim. Nuk ka asnjë mundësi të operonte zjarrfikësja, prandaj i bëj thirrje IKMT, të gjejë një mundësi që të hapin rrugët.

Ngjarja shkaktoi panik mes banorëve, por fatmirësisht nuk pati të lënduar. Por dëmet materiale nga ana tjetër ishin të mëdha. Tre lokale, ashensori dhe fasada e pallatit u shkrumbuan.