Vrasja e efektivit të FNSH, Gjykata e Lezhës mban në qeli 26-vjeçarin Nikoll Sherrniku
26-vjeçari, Nikoll Sherrniku, i dyshuar si një prej autorëve të vrasjes së efektivit të FNSH, Xhulio Prela, mbetet në qeli. Gjykata caktoi ndaj tij masën "arrest me burg", pavarësisht pretendimeve të vjehrrit të 26-vjeçarit se natën e krimit ai ka qenë në shtëpinë e tij.
Gjykata e Lezhës ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për 26-vjeçarin Nikoll Sherrniku, i akuzuar si një prej autorëve në vrasjen e efektivit të FNSH, Xhulio Prela, ngjarje e ndodhur më 5 dhjetor në aksin Lezhë-Milot.
I riu ka mohuar pëfshirjen në krim, dhe për të përforcuar alibinë, para gjykatës u shfaq edhe vjehrri i tij i cili deklaroi se mbrëmjen mes 4 e 5 dhjetorit ai ka qenë në shtëpinë e tij.
"Është i fejuari i vajzës time, ka katër vjet që është fejuar. Për akuzën që ëahtë ngritur ndaj tij deklaroj me bindje të plotë se Nikoll Sherrniku ka fjetur atë natë te shtëpia ime. Në 9 të mëngjesit ka shkuar te shtëpia se me datë 5 kishte ditëlindjen. Jemi organizuar si familje dhe kemi shkuar te shtëpia e tij me datë 5, kemi qëndruar deri në 23:00 ku hëngrëm darkë dhe pastaj kemi ikur në shtëpinë tonë. Kur ka ndodhur ngjarja ai ka qenë te shtëpia ime atë natë. Nikolla ka qëndruar ca kohë në Itali ku ka punuar si mekanik. Pastaj ka ardhur në Shqipëri, edhe këtu rregullon ndonjë makinë, me halle dhe probleme”.
Por pavarësisht këtyre pretendimeve, gjykata e mbajti 26 vjeçarin në qeli, vendim që avokati e cilësoi të pambështetur në prova.
"Ne u paraqitëm sot në seancën e komunikimit të masës së sigurimit të personit të ndluar Nikoll Sherrniku. Kërkuam paraprakisht me aktet që ndodhen në dosje. Konkretisht nga Gjykata Lezhë na u dha vetëm një kopje e vendimit. Ne kërkuam akte që ligji na i lejon. Ne e njohim Kodin e Procedurës Penale. Konkretisht me çfarë u njohëm ne, gjykata ka dhënë një vendim të gabuar. Me të vërtetë është një jetë e humbur por i mbrojturi prej meje është absolutisht i pafajshëm. Nuk ka asnjë lidhje. Natën që ka ndodhur ngjarja i mbrojturi prej meje ka qenë duke festuar ditëlindjen me familjen e tij”.
Efektivi i FNSH-së, Xhulio Prela, u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të datës 5 dhjetor me një plumb në gjoks teksa po kthehej nga Shkodra për në Tiranë. Për krimin në kërkim edhe një tjetër person.


Xhulio Prela u vra më 5 dhjetor në aksin Lezhë-Milot.
Lexo edhe:
Si u zbardh vrasja e policit të FNSH-së, Xhulio Prela