Si u zbardh vrasja e policit të FNSH-së, Xhulio Prela
Rreth 20 kamera sigurie të sekuestruara nga policia dhe prokuroria janë prova më e fortë e hetuesve që kanë ndihmuar për zbardhjen e vrasjes së efektivit të FNSH-së së Shkodrës, Xhulio Prela.
Pamjet e marra në dispozicion kanë identifikuar një automjet tip golf që qarkullon në të njëjtin orar me makinën e efektivit 26-vjeçar, me të cilin udhëtonin dy persona.
Nëpërmjet targës hetuesit kanë arritur që të identifikojnë pronarin e automjetit, i cili është marrë në pyetje dhe ka deklaruar se disa muaj më parë i kishte shitur makinën Nikoll Sherrnikut, por nuk kishin bërë ndërrimin e pronësisë.
Nisur nga ky fakt hetuesit kanë bashkuar qelizat telefonike nga të cilat ka rezultuar se në automjet bashkë me Sherrnikun ka qenë dhe Brilant Martinaj.
Grupi hetimor ka bindjen se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një sherri të momentit, për shkak të dritave të gjata të automjeteve, por ende e kanë të paqartë se cili prej dy autorëve të dyshuar ka qëlluar ndaj efektivit të policisë.
Për këtë arsye hetusit kanë marrë në pyetje paraprakisht të riun Nikoll Sherrniku i cili u arrestua pasditen e të shtunës, por ka mohuar akuzat që rëndojnë mbi të.
Sipas burimeve, i riu ka pretenduar se ka qenë në shtëpi në momentin e ngjarjes, ndërsa pritet që të martën, 22 dhjetor 2020, të dalë para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë.
Autori tjetër Brilant Martinaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ka dyshime se është larguar jashtë vendit disa ditë pas ngjarjes së rëndë.
Deri më tani hetuesit kanë vetëm këta dy persona të dyshuar si të implikuar në ekzekutimin e 26-vjeçarit Xhulio Prela i cili u qëllua për vdekje mëngjesin e 5 dhjetorit teksa po kthehej nga Shkodra, në drejtim të Tiranës ku dhe banonte.