Një ditë pas vrasjes së taksistit 71-vjeçar në Fushë-Prezë, policia ende nuk ka një motiv apo autor të dyshuar. Dëshmitarët thonë se kanë parë dy persona që pasi qëlluan shtatë herë mbi viktimën, janë larguar me një makinë tip audi ngjyre blu të errët me portobagazh. Ata janë kujdesur të mos lënë gjurmë duke vendosur armën e krimit në një qese duke marrë me vete edhe gëzhojat.

Një ditë pas vrasjes së 71 vjeçarit Abdullah budlla, i cili punonte si taksist informal në Rinas, policia nuk ka ende asnjë të dyshuar për atentatin e ndodhur në zonën e Fushë-Prezës.

I moshuari u qëllua për vdekje me 7 plumba, nga dy autorët të cilët kanë qëlluar në lëvizje dhe më pas janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës.

Budlla me profesion taksist qëndronte në automjetin e tij tip “Renault Skenic”, por një telefonatë e mbërritur në celularin e tij e ka nxjerrë në jashtë makinës. Verifikimi i kësaj telefonate besohet nga policia se do të çojë në gjurmimin e autorëve.

Dëshmitarët flasin për dy autorë të cilët janë kujdesur për të mos lënë gjurmë në vendin e ngjarjes.

Dyshohet se armën e krimit ata e kishin mbështjellë me një thes ngjyrë të bardhë, në mënyrë që gëzhojat të zbrazeshin brenda tij dhe jo në tokë.

Autorët kanë mbërritur pranë kryqëzimit të Rinasit nga rruga e Vorës, ndërsa pasi kanë kryer atentatin janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës me një automjet tip “Audi” ngjyrë blu të errët me portobagazh.

Për shkak të shpejtësisë dëshmitarët nuk kanë arritur të fiksojnë targat ndërsa duket se në zonë nuk ka as kamera sigurie.

Mes të shoqëruarve në polici pas ngjarjes, janë dhe familjarë të viktimës, të cilët kanë mohuar që 71-vjeçari të ketë patur konflike.

Ky fakt pohohet dhe nga fqinjët të cilët shprehen se viktima njihej njeri i qetë dhe pa probleme.

Hetimet janë zgjeruar dhe jashtë kufirit, për të mësuar rreth aktivitetit të dy djemve të viktimës, të cilët jetojnë në Itali.

Autoritetet shqiptare kanë kërkuar informacione nëse ata kanë konflikte në shtetin fqinj.