Vrasja e ndërtuesit në Himarë, Prokuroria dërgon në gjyq autorin e dyshuar Niko Goro
Tetë muaj pas ngjarjes së rëndë që tronditi Himarën në tetorin e vitit të kaluar prokuroria ka dërguar në gjyq dosjen e vrasjes së ndërtuesit Niko Goro.
Sipas hetimeve ai u qëllua me armë në mes të qytetit nga shtetasi Kliti Leka me të cilin kishte konflikt pronësie për një truall ku ishte ngritur një prej pallateve të ndërtuara prej viktimës.
Prokuroria e Vlorës ka përfunduar hetimet për vrasjen e biznesmenit të ndërtimit në Himarë, Niko Goro.
Organi i akuzës ka marrë të pandehur si autor të këtij krimi, shtetasin Kliti Leka.
Ndaj këtij personi rëndon akuza e “vrasjes me paramendim”, “plagosjes së rëndë me dashje” dhe “mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.
Shkak i ngjarjes ka qenë një konflikt pronësie mes viktimës dhe autorit të krimit, pasi ishin grindur për ndarjen e apartamenteve.
Sipas dosjes hetimore, viktima, mëngjesin e fundit të jetës së tij, kishte dalë nga shtëpia, për të blerë vezë në supermarketin e të motrës, të cilat do t’ia dërgonte në banesë nënës së tyre të sëmurë.
Niko Goro, sapo ka dalë nga supermarketi, është qëlluar me 6 plumba pistolete, nga autori i krimit Kliti Leka, ku 5 prej tyre e kanë kapur në trup Goron, duke mbetur i vdekur në vend.
Një plumb në këmbë, ka marrë edhe motra e tij, Eftinia, e cila është rehabilituar pas një ndërhyrje kirurgjikale.
Prokuroria e Vlorës thotë se vrasja është parë nga dy punonjëset e supermarketit.
Ato fillimisht kanë menduar se krismat ishin fishekzjarrë, por kur kanë dalë jashtë dhe kanë parë një person me kapele dhe armë, janë futur poshtë sportelit të supermarketit.
Pas krimit, autori Kliti Leka u largua me një automjet të marrë me qira në Tiranë.
Në ikje e sipër, Leka është lokalizuar nga policia e Himarës në plazhin e Livadhit, ku kishte braktisur makinën dhe ishte larguar me vrap në drejtim të godinave të një ish-reparti Ushtarak, që vendasit e quajnë “ish-prozhektori”.
Në këtë moment, Kliti Leka, ka hedhur armën dhe ka dalë në një terren të hapur, ku efektivët e policisë kanë shkuar dhe e kanë arrestuar.
Gjatë kontrollit, Kliti Lekës, ju sekuestrua një automatik kallashnikov me dy karikatorë, një pistoletë “Heckler Koxh” me fishek në fole, dhe 60 fishekë automatiku.
Mes sendeve të sekuestruara, efektivët e policisë i gjetën të dyshuarit dhe një qese ku brenda saj kishte një mollë dhe një banane, ku me sa duket autori kishte marrë ushqime me vete pasi planifikonte të largohej në mal.

