Vijon ndërtimi i parkut të hyrjes së qytetit/ Rama publikon pamjet nga kantieri i parkut të ri

Hyrja e qytetit të Shkodrës po merr formë të re, ndërsa vijojnë punimet për ndërtimin e parkut që synon transformimin e kësaj zone në një hapësirë rekreative dhe multifunksionale.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga kantieri i punimeve, duke treguar ecurinë e projektit që po zhvillohet në veri të vendit.
Projekti, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe i mbështetur nga qeveria, parashikon krijimin e një parku me sipërfaqe rreth 17 deri në 18 hektarë.
Në këtë hapësirë janë planifikuar shëtitore për këmbësorë dhe biçikleta, zona sportive, pika panoramike me pamje nga liqeni, si dhe ambiente për aktivitete kulturore dhe koncerte.
Pjesë e projektit janë gjithashtu fushat sportive dhe ndërtimi i një moli të ri, i cili do të lidhet me zonat e Shirokës dhe Zogajt, duke krijuar një rrjet më të gjerë shëtitjesh buzë liqenit.


