Dyshohet se rr*shqiti në dhomën e hotelit, humb jetën një person në Himarë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë pasdite zonën turistike të Jalës, ku një pushues ka humbur jetën në mënyrë aksidentale brenda dhomës së hotelit ku po qëndronte.
Sipas të dhënave paraprake, viktima dyshohet se ka rrëshqitur aksidentalisht dhe është goditur me forcë në kokë gjatë rënies, duke pësuar lëndime të rënda.
Personeli mjekësor ka mbërritur menjëherë në vendngjarje për t’i dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit, i cili më pas është transportuar urgjentisht drejt Spitalit të Himarës. Përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve, dëmtimet e rënda, përfshirë frakturat në kafkë dhe traumat cerebrale, rezultuan fatale për jetën e pushuesit.
Policia e Himarës ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave, ku pista kryesore e hetimit mbetet ajo e një aksidenti të pastër. Identiteti i viktimës ende nuk është bërë publik, ndërsa autoritetet pritet të publikojnë detaje të mëtejshme pas përfundimit të procedurave hetimore.

