Media italiane “Idealista”: Berati, “qyteti i një mbi një dritareve”, mahnit me historinë, arkitekturën dhe harmoninë mes kulturave
Mes shtëpive të bardha dhe peizazheve piktoreske përgjatë lumit Osum, Berati ofron një udhëtim në një natyrë autentike që i ka rezistuar shekujve.
I njohur nga UNESCO si pjesë e Trashëgimisë Botërore, qyteti përfaqëson një ndërthurje harmonike të kulturave dhe stileve arkitekturore.
Mes shtëpive të bardha që ngjiten në shpatet e kodrës dhe peizazheve piktoreske përgjatë lumit Osum, Berati vazhdon të vlerësohet si një nga qytetet më të bukura dhe autentike të Shqipërisë, shkruan media italiane “Idealista”.
“Qyteti i një mbi një dritareve”, ofron një udhëtim nëpër histori, kulturë dhe arkitekturë, duke ruajtur një harmoni të rrallë mes trashëgimisë së tij shumë shekullore.
I shpallur pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Berati shquhet për urbanistikën e periudhës osmane dhe për bashkëjetesën shembullore ndërmjet besimeve fetare.
Qyteti përshkruhet si një vend që zbulohet më së miri duke e shëtitur ngadalë, mes rrugicave me kalldrëm dhe lagjeve historike.
I vendosur në Shqipërinë qendrore, përgjatë brigjeve të lumit Osum, Berati ka ndërtuar identitetin e tij, rreth ujërave të lumit, i cili gjarpëron në shpatet e kodrës, ku ngrihet qyteti.
Pikërisht ky peizazh, ku shtëpitë karakteristike pasqyrohen mbi lumin Osum, ka krijuar panoramën ikonike, që e ka bërë Beratin të famshëm në mbarë botën.
Shtëpitë tradicionale, të ndërtuara njëra mbi tjetrën në shpatin e kodrës, me fasada të bardha dhe dritare të shumta prej druri, reflektojnë dritën natyrale dhe krijojnë një efekt të veçantë vizual mbi luginë.
Çatitë e rregullta, muret e bardha dhe rrjedha e qetë e Osumit i japin qytetit një atmosferë të qetë, ku koha duket sikur ecën më ngadalë.
Arkitektura tradicionale, sipas artikullit, vazhdon të dëshmojë, se mund të ofrojë jo vetëm bukuri estetike, por edhe funksionalitet, rehati dhe një ndjenjë të fortë komuniteti.
Një nga simbolet e Beratit është Ura e Goricës, e ndërtuar me gur, e cila lidh dy brigjet e lumit dhe zëvendësoi një urë më të hershme të shkatërruar nga përmbytjet.
Kalimi mbi të, ofron një udhëtim simbolik mes kulturave dhe besimeve të ndryshme, ndërsa në të dyja anët e lumit, shpalosen lagjet historike të qytetit.
Në bregun perëndimor shtrihet Gorica, një lagje me traditë të krishterë dhe pamje të bukur drejt lumit.
Përballë saj ngrihet Mangalemi, zemra e qytetit osman, i njohur për radhët karakteristike të shtëpive me çati të kuqe, që ngjiten në shpat.
Mbi të gjitha këto lagje dominon Kalaja e Beratit, e fortifikuar që mbikëqyr luginën e Osumit.
Kalaja, e cila i ka rrënjët që në lashtësi dhe ruan strukturën mesjetare, është ende e banuar.
Brenda mureve të saj vizitorët gjejnë oborre tradicionale, punishte artizanale dhe objekte të shumta kulti.
Kishat e lashta ruajnë afreske dhe piktura murale me vlera të veçanta artistike, ndërsa Xhamia e Kuqe dëshmon gjurmët historike, të trashëgimisë islame brenda kompleksit.
Një nga atraksionet më të rëndësishme është Muzeu Kombëtar Ikonografik i Onufrit, i vendosur në Katedralen e Shën Marisë.
Muzeu ekspozon ikona, kryqe dhe objekte liturgjike, që pasqyrojnë traditën e pasur të artit ikonografik shqiptar dhe ballkanik, të dalluar për ngjyrat, zbukurimet dhe mjeshtërinë artistike.
Artikulli thekson gjithashtu se Berati është lehtësisht i arritshëm nga Tirana.
Udhëtimi me automjet zgjat rreth dy deri në dy orë e gjysmë, përmes rrugës SH7 ose E852, duke kaluar nga Elbasani.
Qyteti lidhet gjithashtu me kryeqytetin përmes linjave të rregullta të autobusëve dhe minibusëve, me një kohë udhëtimi prej rreth 2,5-3 orësh nga Terminali i Autobusëve në Tiranë.
Për ata që kërkojnë më shumë komoditet, ofrohet edhe mundësia e udhëtimit me taksi, veçanërisht e përshtatshme për grupet ose për vizitorët që dëshirojnë të ndalojnë gjatë rrugës.
Sipas artikullit, Berati mbetet një destinacion që ndërthur natyrën, historinë dhe kulturën, duke u ofruar vizitorëve një përvojë autentike, në një nga qytetet më të veçanta të Shqipërisë.


