"Një tjetër perlë natyrore po zhduket"/ Ina Zhupa publikon pamjet nga Gryka e Skoranës dhe kërkon hetim

"Një tjetër perlë natyrore po zhduket"/ Ina Zhupa

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar për gjendjen e Grykës së Skoranës, duke akuzuar qeverinë për neglizhencë në mbrojtjen e mjedisit dhe duke kërkuar hetim për dëmtimin e zonës.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Zhupa paraqet pamje nga Gryka e Skoranës dhe pretendon se zona është dëmtuar nga hedhja e inerteve dhe aktiviteti i pakontrolluar i firmave të ndërtimit.

"Edhe Kanioni i Erzenit u masakrua. Qeveria Rama po varros një tjetër perlë natyrore të Tiranës. Kjo video tregon një krim mjedisor që nuk mund të fshihet me propagandë. Gryka e Skoranës, një nga destinacionet më të bukura natyrore të Tiranës, është shkatërruar nga hedhja e inerteve dhe aktiviteti i pakontrolluar i firmave ndërtuese. Aty ku dikur familjet, të rinjtë dhe turistët shijonin natyrën dhe ujërat e Erzenit, sot ka mbetur vetëm shkatërrim.

Kjo nuk është fatkeqësi natyrore, por pasojë e një qeverisjeje që ka braktisur mbrojtjen e mjedisit dhe ka zgjedhur t'u shërbejë interesave të klientëve të saj. Duhen hetuar dhe vënë para ligjit përgjegjësit, si edhe të forcohen ligjet dhe kontrollet për mbrojtjen e pasurive tona natyrore.

Shqipëria nuk mund të vazhdojë të humbasë një e nga një perlat e saj, ndërsa qeveria flet për turizmin, por lejon shkatërrimin e vetë natyrës që e bën këtë vend unik. Për çfarë turizmi do të flasim në Tiranë? Turizmin e ndërtimit, turizmin e betonit?", shprehet Zhupa.

EMISIONET