VIDEO+FOTO/ "Atentat politik në Vaun e Dejës", Benard Ndreca i shpëton shpërthimit të tritolit
Një atentat me tritol është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në Vaun e Dejës.
Objektiv ka qenë kreu i PD, Rithemelimit në degën e Vaut të Dejës, Benard Ndreca i cili sapo kishte hipur në mjet dhe ndodhej me nënën e tij. Si pasojë e shpërthimit, nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale.
“Ora News” siguron pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë në banesën e kreut të Partisë Demokratike të grupimit të Rithemelimit në Vaun e Dejës Benard Ndreca, ku dallohen si momenti kur dy persona të maskuar kanë vendosur sasinë e lëndës plasëse në mjet, ashtu edhe momenti i shpërthimit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë që ndodheshin në banesën e tij që do të bëjnë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Policia dyshon për 2 persona që mund të kenë qenë autorët.
Ndërsa hetimet për zbardhjen e ngjarjes vijojnë, atentati në fjalë vjen vetëm pak orë pasi lista e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të PD-së së drejtuar nga Enkelejd Alibeaj në Vaun e Dejës doli në mbështetje të Zef Hilës në zgjedhjet e 14 Majit.
Lajmin e bëri dje të ditur vetë PD dega e Vaut të Dejës, me anë të një komunikate zyrtare për shtyp.
Në këtë komunikatë shkruhet se ata shprehnin hapur mbështetjen për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Zef Hila.
Kryetari demokrat, Sali Berisha, reagoi pas sulmit me tritol në makinë ndaj kreut të PD në Vaun e Dejës. Berisha tha se ky është një akt i rëndë i terrorizmit shtetëror.
"Sot në mëngjes u krye një akt i rëndë i terrorizmit shtetëror kundër Bernard Ndrecës, kryetar i PD për Vaun e Dejës, me qëllim eliminimin e tij fizik. Bernard Ndreca është një qytetar shembullor, e tillë është familja e tij. Terroristë shtetërorë, sipas regjistrimit të kamerave, kanë vendosur tritolin në makinën e tij. Bernardi, tek nisej për në punë, pas disa metrash përballet me një eksplozion të tmerrshëm që i shkatërron pjesën e përparme të makinës. Por fatmirësisht, vetë ai shpëtoi nga ky atentat i mirëfilltë politik. Me këtë akt terrorist, Edi Rama inauguron çeljen e fushatës së tij elektorale. Ky përbën një krim të shëmtuar, përbën një akt të pashembullt në historinë e zgjedhjeve kur një drejtues kryesor i një dege të PD-së, sulmohet apo ndaj tij organizohet një atentat për likuidimin e tij", theksoi Berisha.
Ora 11:55 - flet Benard Ndreca: Nuk kam konflikte, ngjarja akt politik! Nga kamerat duken ...
Kryedemokrati i Vaut te Dejes Benard Ndreca ka reaguar pasi i shpëtoi një atentati me tritol që ishte vendosur në mjetin e tij tip ‘Audi’. Mjeti shpërtheu në pjesën e përparme teksa Ndreca ishte në makinë. Ai u shpreh se nuk ka konflikte me askënd dhe se ky është një sulm i hapur politik.
“Në momentin që ka lëvizur makina nga vendi aty ka qenë shpërthimi. Skam konflikte me asnjë, kjo është e përdorur politikisht. S’më është vendosur mua por kreut të PD së Vaut të Dejës sepse këtu janë të organizuar mirë. S’kam përplasje, as kërcënime. Janë parë pamjet, vijnë dy persona, në orën 1:15 të natës, rreth 7 minuta aty, vendosin eksplozivin dhe largohen. Janë të maskuar. Thirrja ime është, duke filluar që nga kryeministri: Të distancojnë policinë nga politika. Lërini njerëzit të votojnë të lirë. I bëj thirrje çdo lloj kahu politik, se vullneti i njerëzve dihet se ku shkon, nuk i mbani dot bashkitë e vendeve me presion.”- tha Benard Ndreca.
Ndërkohë edhe deputetja demokrate Greta Bardeli tha se ky ishte një sulm ndaj frymës së demokratëve në Shkodër.
“Kjo ngjarje zgjoi të gjithë banorët e Vaut të Dejës. Kjo ka vetëm një emër të atyre që kërkojnë të godasin frymën e demokratëve në Shkodër. OSBE-ODIHR të jetë në Shkodër, këto nuk janë aspak shenja të mira. I bëj thirrje të gjithë strukturave të policisë së shtetit të zbardhin sa më shpejt këtë ngjarje.
Demokratët nuk frikësohen. Sot jemi më të bashkuar se kurrë”, u shpreh ligjvënësja demokrate Greta Bardeli.
Kandidati i koalicionit të opozitës për bashkinë e Vaut të Dejës, Zef Hila ka kërkuar që të zbardhet ngjarja e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm, ku ju hodh në erë makina kreut të kësaj dege, Benard Ndrecës. Në një prononcim për mediat, Hila u shpreh se ngjarja kriminale duhet të zbardhet sa më shpejt.
“Ky është një akt kriminal. Gjej rastin t’i bëj thirrje Çuçit që të marrin masa të menjëhershme që ky rast kriminal të zbardhet sa më shpejt dhe autorët të arrestohen. Nuk i druhemi asnjë lloj akti pasi gjithë qytetarët janë të qartë në situata të tilla. Ky është një akt kriminal”, deklaroi kandidati demokrat për bashkinë e Vaut të Dejës Zef Hila.
Detaje të reja vijnë nga hetimet që po bën policia dhe prokuroria e Shkodrës në oborrin e banesës së kreut të Partisë Demokratike të Rithemelimit, në Vaun e Dejës, Bernard Ndreca, të cilit iu bë atentat duke i vendosur tritol në makinën e parkuar në oborrin e banesës së tij më orët e para të mëngjesit të sotëm.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë shihen lëvizjet e dy personave në orare të ndryshme.
Policia po bën këqyrjen e plotë të tyre dhe pritet që ato të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Ndërkaq në banesën e kryedemokratit të Vaut të Dejës Bernard Ndreca, prej më shumë se një ore ndodhen kandidati për kryetar bashkie, Zef Hila, Gentian Ndoj kryetar i PD-së së Alibeajt dhe deputetja e Qarkut Shkodër, Greta Bardeli.
Ora 08:40 - Dalin PAMJET e atentatit me tritol në makinën e kreut të PD-së në Vaun e Dejës
“Ora News” siguron pamjet e automjetit tip “Audi” të shpërthyer me tritol dhe që është në pronësi të kreut të PD, në Vaun e Dejës, Bernard Ndreca, të cilit iu bë atentat në oborrin e banesës së tij.
Policia e Shkodrës ka dhënë detaje në lidhje me automjetin bëri me dije se nga veprimet e para rezulton se shpërthimi ka ndodhur në momentin që shtetasi Ndreca ka hipur në automjet.
Policia e Shkodrës ka dhënë detaje në lidhje me automjetin në pronësi të kreut të PD, në Vaun e Dejës, Bernard Ndreca iu vendos tritol.
Nga veprimet e para rezulton se shpërthimi ka ndodhur në momentin që shtetasi Benard Ndreca ka hipur në automjet.
Shpërthim tritoli në një makinë ka tronditur këtë të martë Vaun e Dejës. Mësohet se ngjarja është shënuar gjatë orëve të para të së martës, ku një sasi lënde plasëse i është vendosur në automjet kreut të Partisë Demokratike së Rithemelimit në Vaun e Dejës, Bernard Ndreca.