VIDEO/ Policia e Korçës bën bilancin: Zbulohen 99% e veprave penale në maj-qershor, 8 operacione kundër kriminalitetit

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Vilson Bala, dhe drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, Gëzim Zhupaj, prezantuan sot rezultatet e punës së strukturave të Policisë Vendore dhe Policisë Kufitare për periudhën maj-qershor 2026, duke vënë në fokus luftën kundër kriminalitetit, sigurinë publike dhe menaxhimin e flukseve në kufi gjatë sezonit turistik.

Sipas drejtorit Bala, gjatë dy muajve janë evidentuar 380 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 376, ose 98.94%. Në total janë identifikuar 369 autorë, ku 65 janë arrestuar ose ndaluar, 296 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 8 janë shpallur në kërkim.

Në fushën e luftës kundër narkotikëve janë evidentuar 16 raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike, me 22 autorë të proceduar, ndërsa kontrollet për parandalimin e kultivimit të cannabis-it kanë çuar në zbulimin e një ambienti me bimë cannabis në proces tharjeje dhe raste të tjera me fara të cannabis sativa.

Gjatë periudhës së analizuar janë zhvilluar tetë operacione policore, mes tyre “Vreshtasi”, “Lumalasi”, “Trigger X”, “Dishnica”, “Lozhani”, “Wanted” dhe “Shop”, si rezultat i të cilëve janë arrestuar 10 persona, janë sekuestruar armë zjarri, lëndë narkotike dhe sende të përdorura për veprimtari kriminale.

Në fushën e sigurisë rrugore janë evidentuar 43 vepra penale, janë vendosur 8 460 masa administrative, janë pezulluar 45 leje drejtimi dhe janë arrestuar 30 drejtues mjetesh. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 18 aksidente rrugore me pasoja, ku kanë humbur jetën 5 persona.

Bala bëri të ditur se prioritetet për muajt në vijim do të jenë garantimi i rendit gjatë sezonit turistik, parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike, lufta kundër armëmbajtjes pa leje, rritja e sigurisë rrugore, parandalimi i zjarreve, ndotjes akustike dhe forcimi i bashkëpunimit me institucionet dhe komunitetin.

Nga ana tjetër, drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, Gëzim Zhupaj, deklaroi se gjatë muajve maj-qershor në katër pikat e kalimit kufitar të qarkut janë përpunuar 889 138 shtetas dhe 344 646 automjete, ndërsa janë shtuar sportelet dhe kapacitetet për përballimin e fluksit turistik.

Sipas tij, strukturat e Policisë Kufitare kanë vijuar kontrollet për parandalimin e krimeve ndërkufitare, migracionit të paligjshëm dhe kontrabandës. Gjatë kësaj periudhe janë trajtuar 47 shtetas të huaj në kuadër të migracionit të parregullt dhe janë referuar materiale procedurale për 43 vepra penale, që lidhen me kontrabandën, kalimin e paligjshëm të kufirit, falsifikimin e dokumenteve dhe veprimtari të tjera të paligjshme.

Ai theksoi se masat e sigurisë janë forcuar edhe në hapësirat liqenore të Pogradecit dhe Prespës, me patrullime të vazhdueshme në tokë, ujë dhe nga ajri, duke përdorur mjete lundruese dhe dronë, me synim garantimin e sigurisë së pushuesve gjatë sezonit veror.

EMISIONET