PAMJE SI NË FILMA/ Guardia di Finanza dhe Roja Bregdetare shqiptare shpëtojnë 11 emigrantë të paligjshëm pranë Sazanit (VIDEO)
Një operacion i përbashkët i Policisë Kufitare, Rojes Bregdetare dhe Guardia di Finanza ka bërë të mundur shpëtimin e 11 emigrantëve që rrezikonin të mbyteshin në veri të ishullit të Sazanit, pasi lëviznin me një gomone të vogël dhe me sasi të pamjaftueshme karburanti.
Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 07:30 të mëngjesit të sotëm, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë mori një telefonatë nga një numër grek, përmes së cilës u kërkua ndihmë për disa emigrantë që ndodheshin në rrezik në det.
Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Rojen Bregdetare dhe Guardia di Finanza, u nisën drejt zonës së raportuar dhe lokalizuan gomonen në hapësirën detare.
Të 11 emigrantët, nga vende të ndryshme, u nxorën në breg në gjendje të mirë shëndetësore.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se mjeti lundrues ishte një gomone e vogël, rreth 3 metra e gjatë, me motor 25 kuaj fuqi dhe me sasi të pamjaftueshme karburanti në serbator, çka rrezikoi seriozisht jetën e personave në bord.
Policia bën me dije se, nga monitorimi me radarë, gjatë 48 orëve të fundit nuk është konstatuar asnjë tentativë e mjeteve lundruese për të lëvizur drejt ujërave ndërkombëtare.
Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij rasti dhe për të dokumentuar me prova ligjore ngjarjen.
NJOFTIM I POLICISE
Ishulli i Sazanit, Vlorë
Rrezikuan të mbyteshin, pasi lëviznin me një gomone të vogël dhe me sasi të pamjaftueshme karburanti, shërbimet e DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Rojen Bregdetare dhe Guardia di Finanza (GDF), u shkuan në ndihmë 11 emigrantëve nga vende të ndryshme.
Të gjithë emigrantët u nxorën në breg, në gjendje të mirë shëndetësore.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, menjëherë pas marrjes së kërkesës për ndihmë, përmes një telefonate nga një numër grek, rreth orës 07:30 të ditës së sotme, se disa emigrantë rrezikonin të mbyteshin në det, në veri të ishullit të Sazanit, u nisën drejt zonës së sinjalizuar.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe koordinimit të shërbimeve të Policisë Kufitare, Rojes Bregdetare dhe Guardia di Finanza (GDF), u bë i mundur lokalizimi i gomones në hapësirën detare dhe nxjerrja në breg, në gjendje të mirë shëndetësore, e 11 emigrantëve nga vende të ndryshme.
Nga veprimet e deritanishme hetimore rezulton se mjeti lundrues ishte një gomone me përmasa të vogla (rreth 3 metra me motor 25 KF), me sasi të vogël dhe të pamjaftueshme karburanti në serbator.
Gjithashtu, nga monitorimi i hapësirës detare me radarë rezulton se gjatë 48 orëve të fundit nuk ka pasur asnjë tentativë të mjeteve lundruese për të lëvizur drejt ujërave ndërkombëtare.
Grupi i posaçëm hetimor, i ngritur për këtë rast, vijon punën nën drejtimin e Prokurorisë, për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin me prova ligjore të këtij rasti.

