VIDEO/ Ndreu: Zjarri në malin e Shëngjinit vihet nën kontroll
Zjarri i rënë në malin e Shëngjinit pranë rrugës kryesore në lagjen “Sakë”, në Lezhë mbrëmjen e djeshme është vënë në kontroll pas një operacioni që zgjati gjatë gjithë natës.
Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu në një postim në rrjetet sociale tha sot se “zjarrfikësit e bashkisë Lezhë dhe nga Tirana, kanë punuar pa u ndalur gjatë gjithë natës, duke arritur ta vënë zjarrin deri diku nën kontroll”.
Ndreu shprehu mirënjohje për zjarrfikësit për përkushtimin dhe sakrificën e tyre.
“Fatkeqësisht, kjo është një përballje e përsëritur, që vjen si pasojë e papërgjegjshmërisë ose, në rastet më të rënda, e një akti kriminal. Ndërkohë që forcat e bashkisë janë në terren duke luftuar me flakët, nuk mungojnë as disa njerëz të habitshëm, të cilët duket sikur argëtohen me zjarrin dhe nxitojnë të akuzojnë se e kemi vënë ne. Pika që s’ju bie! Atë që keni ju në mendje, kujtoni se e bëjnë edhe të tjerët”, tha Ndreu.
Kryebashkiaku Ndreu u shpreh se “sa për ndërtimet, hartat e zonave të zhvillimit janë miratuar nga Këshilli Bashkiak shumë përpara se unë të vija në bashki. Prandaj nuk kemi asnjë nevojë për zjarre, sepse gjithçka është përcaktuar prej kohësh. Këto akuza janë qesharake dhe arrijnë kufijtë e absurdit. Nuk e lejmë ne situatën se ka zot vendi”.
Prej mbrëmjes së djeshme forcat zjarrfikëse janë në terren me synim shuarjen dhe parandalimin e përhapjes së tyre. Zjarri në malin e Shëngjinit po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm deri në shuarjen e plotë të tij.
Ndërkohë vijojnë hetimet për përcaktimin e shkaqeve të rënies së flakëve, të cilët u shfaqën rreth orës 21:00 të së premtes..


