Sony i jep fund epokës së disqeve: Nga viti 2028, lojërat për PlayStation do të jenë vetëm në format dixhital!

Sony do të ndalojë prodhimin e disqeve fizike për konsolat PlayStation dhe do të kalojë plotësisht në formatin dixhital duke filluar nga janari i vitit 2028, njoftoi kompania të mërkurën.
Pas përfundimit të prodhimit të disqeve fizike, lojërat e reja do të jenë të disponueshme vetëm në format dixhital përmes PlayStation Store, dyqanit online të PlayStation, si dhe përmes shitësve të autorizuar që ofrojnë kode dixhitale.
Ky ndryshim nuk do të ndikojë te lojërat që janë publikuar tashmë në disk ose ato që do të dalin para janarit 2028, bëri të ditur Sony.
“Ky është një drejtim natyral për Sony Interactive Entertainment, për t’iu përshtatur prirjeve të konsumatorëve, pasi preferenca e përgjithshme për mediat dixhitale ka tejkaluar ndjeshëm përdorimin e disqeve fizike,” thuhet në deklaratën e kompanisë.
“Ky tranzicion do të na lejojë të përshtatemi më mirë me mënyrën se si shumica e komunitetit tonë preferon të aksesojë dhe të luajë lojërat sot.”
Sony, e themeluar në Japoni në vitin 1946 me emrin Tokyo Tsushin Kogyo K.K., prodhoi konsolën e parë PlayStation në vitin 1994 – një pajisje gri e pajisur me një lexues CD-ROM. Që atëherë, kompania ka prezantuar disa gjenerata të PlayStation, ndërsa modeli më i fundit është PlayStation 5.
Njoftimi vjen pak përpara publikimit të shumëpritur të Grand Theft Auto VI (GTA 6), i cili sipas analistëve pritet të jetë lansimi më fitimprurës në historinë e industrisë së argëtimit.
Fansat kanë pritur për këtë lojë për më shumë se një dekadë, pasi versioni i fundit, GTA 5, u publikua në vitin 2013. Data e publikimit të GTA 6 është shtyrë disa herë dhe tani pritet të dalë më 19 nëntor.
Ndërsa ofertat digjitale vazhdojnë të rriten, gjithnjë e më shumë konsumatorë po largohen nga mediat fizike.
Sipas Mat Piscatella, drejtor i lartë dhe këshilltar për industrinë e videolojërave në kompaninë e analizave të tregut Circana, lojtarët shpenzuan vetëm 1.5 miliardë dollarë për blerjen e videolojërave të reja në format fizik gjatë vitit 2025, niveli më i ulët që nga viti 1995, kur Circana nisi të mbledhë këto të dhëna.
Shpenzimet për lojërat fizike arritën kulmin në vitin 2008, me 11.6 miliardë dollarë.

