VIDEO/ Gonxhja në Malin e Robit: Plazhet publike janë e drejtë e qytetarëve, duhen më shumë standarde dhe mirëmbajtje!

Deputeti Blendi Gonxhja zhvilloi një vizitë në Plazhin e Malit të Robit në Kavajë, ku u njoh nga afër me situatën në terren dhe zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e zonës për çështjet që lidhen me hapësirat publike bregdetare.
Gjatë takimit, në fokus ishin aksesi i qytetarëve në plazhet publike, kushtet që duhet të ofrohen për pushuesit, si dhe nevoja për përmirësimin e shërbimeve dhe mirëmbajtjes në një nga destinacionet më të frekuentuara turistike të vendit.
Gonxhja dëgjoi shqetësimet dhe sugjerimet e banorëve, duke theksuar se e drejta për të shfrytëzuar hapësirat publike është e patjetërsueshme dhe se ruajtja e tyre kërkon angazhimin e të gjitha palëve, nga pushteti vendor te institucionet përgjegjëse dhe vetë qytetarët.
“Plazhet publike duhet të jenë të aksesueshme për të gjithë dhe të ofrojnë standardet e nevojshme për sigurinë, pastërtinë dhe komoditetin e pushuesve”, u shpreh ai.
Deputeti garantoi se do të vazhdojë të jetë pranë komunitetit për të evidentuar problematikat dhe për të bashkëpunuar në gjetjen e zgjidhjeve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe rritjen e standardeve të shërbimeve turistike në zonë.

