Bon Jovi rikthehet fuqishëm pas operacionit: Jam rikuperuar plotësisht, gati për turneun e parë pas katër vitesh!

Legjenda e rock-ut, Jon Bon Jovi, ka konfirmuar se është rikuperuar plotësisht pas problemeve serioze me kordat vokale që e detyruan t’i nënshtrohej një operacioni delikat.
Në një intervistë për revistën PEOPLE, artisti 64-vjeçar zbuloi se ka punuar për vite me specialistë të zërit dhe ka ndjekur një program intensiv ushtrimesh për të rikthyer aftësitë e tij vokale.
“Jam rikuperuar plotësisht. U desh më shumë kohë nga sa e kisha imagjinuar, por duhej bërë siç duhet. Ne nuk e humbëm kurrë besimin”, u shpreh këngëtari.
Bon Jovi tregoi se gjatë gjithë karrierës së tij është kujdesur për zërin dhe nuk ka pasur zakone që mund të dëmtonin kordat vokale. Megjithatë, diagnoza se njëra prej kordave po atrofizohej ishte një goditje e vështirë për t’u përballuar.
Artisti vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të anëtarëve të grupit Bon Jovi, të cilët, sipas tij, i qëndruan pranë gjatë gjithë procesit të rikuperimit dhe nuk e lanë asnjëherë të humbiste shpresën.
Një tjetër motivim i madh ka qenë edhe familja, veçanërisht roli i ri si gjysh. Këngëtari tha se sfida me shëndetin e ka bërë të ndryshojë mënyrën si e sheh jetën dhe të vlerësojë më shumë momentet e thjeshta.
“Dikur mendoja gjithmonë për të nesërmen dhe nuk jetoja të tashmen. Sot vlerësoj çdo ditë, çdo moment me familjen dhe gjërat e vogla që të sjellin lumturi”, deklaroi ai.
Tashmë, fansat kanë arsye për të festuar, pasi grupi pritet të nisë në korrik turneun “Forever”, rikthimi i parë në skenë pas katër vitesh dhe paraqitja e parë e Bon Jovit pas operacionit, duke shënuar një kapitull të ri në karrierën e ikonës së muzikës rock.

