VIDEO + EMRI/ Kapet në Shalë 68-vjeçari "i frikshëm" me dhjetëra kallëpe tritoli, armë zjarri, granata dhe kanabis
Një 68-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi në banesën e tij u zbuluan kallëpe me tritol, armë zjarri, granata dhe kanabis.
Gjatë operacionit, në fshatin Gimaj, njësia administrative Shalë, u arrestua shtetasi Gjon Marashi.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni policor i koduar “Konglomerat”. Sekuestrohen dhjetëra kallëpe me lëndë shpërthyese tritol, armë zjarri, granata, ndezës granatash dhe fitil zjarrpërcjellës.
Vihet në pranga poseduesi i tyre, i cili në momentin e ndërhyrjes nga Policia u kap në flagrancë duke u kujdesur për 120 bimë narkotike që kishte kultivuar në afërsi të banesës së tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas posedonte sasi të konsiderueshme lënde shpërthyese tritol, granata, fitil zjarrpërcjellës dhe armë zjarri, me qëllim për t’ua shitur personave me precedent kriminal që ushtrojnë veprimtari në fushën e krimve kundër personit dhe pronës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Konglomerat”.
Gjatë operacionit, në fshatin Gimaj, njësia administrative Shalë, shërbimet e Policisë vunë në pranga shtetasin Gj. M., 68 vjeç, banues në fshatin Gimaj, Shkodër, pasi në momentin e ndërhyrjes nga Policia, ky shtetas u kap në flagrancë duke u kujdesur për 120 bimë kanabisi që kishte kultivuar në një sipërfaqe toke në afërsi të banesës së tij.
Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 31 kallëpe tritoli, 110 metër fitil zjarrpërcjellës, 18 granata dore dhe 13 ndezës të unifikuar.
Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e Policisë asgjësuan me anë të djegies, 120 bimët narkotike të kultivuara në afërsi të banesës së 68-vjeçarit, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore.