TREGTI NË “INSTAGRAM”/ Kush është “Klajdi_187” që shiste armë në disa zona të Tiranës? Shkëmbimi, tek “Kafja e Rremës”
Një 25-vjeçar i quajtur “Klajdi” me qëndrim në Gjermani, konsiderohet si personi kryesor në ngritjen në Tiranë e qytete të tjera, të një zinxhiri të tregtisë së pistoleta “Zoraki”, Glock dhe automatikëve kallashnikov.
“Klajdi” është njeriu që jeton në Tiranë dhe Gjermani, ndërsa skemën e tregtisë së armëve, ai e kishte përhapur përmes rrjeteve sociale si “Instagram” në profilin “Klajdi_187M” dhe “Whatsapp”.
Në gjurmët e “Klajdit”, policia kishte rënë në kontakt falë informacioneve operative, duke nisur hetim për “Trafikim të armëve të zjarrit” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”, por ende dhe sot autoritet policore nuk kanë mundur ta lokalizojë dhe arrestojnë atë.
“...nga informacione të administruara në rrugë të ligjshme nga ana e policisë, rezulton se ky person në bashkëpunim dhe me persona të tjerë merren kryesisht me tregtimin e armëve të llojit pistoletë dhe armëve automatike të llojit AK-47. Këto armë zjarri dyshohet se personi “Klajdi”, i mban në banesën e tij dhe kërkon ti shesë te persona të tjerë lidhje shoqërore të tij, në një vlere prej 500 deri në 700 euro...”-thuhet në dosjen hetimore.
Rezulton se disa nga armët të cilat ai disponon dhe për ti shitur, fotot e tyre, ua dërgon personave të tjerë nëpërmjet aplikacionit “Whatsapp” dhe “Instagram”, ku ai përdor profilin “Klajdi_187m”.
Sipas hetimit, armët kryesisht automatikët, para se të shiteshin testoheshin nëse ishin teknikisht në gjendje të kryenin qitje. Një gjë e tillë është faktuar pasi gjatë kryerjes së ekspertimit balistik, ekspertët kanë gjetur gjurmë baruti në tytat e tyre.
Sipas dosjes hetimore në datën 4 mars 2025 është marrë informacion në rrugë operative, ku dyshohet se këta persona kërkojnë të shesin armë zjarri tek persona të ndryshëm.
Ndërsa shkëmbimi i armëve dhe parave do kryhet tek zona e quajtur “Kafja e Rremës”. Fabricio Berberi, ka kërkuar të shesë tek persona të tjerë armë zjarri Pistoletë.

Ritvan Keqi në zonën e Laçit dhe Mamurasit ka kërkuar të shesë një armë zjarri Pistoletë. Kurse, Kevin Farruku dhe Adrianao Shehu, në zonën e Fushë-Prezës, Vorë, kanë kërkuar të shesin një armë zjarri Automatik.
Nga informacionet e marra në rrugë operative dyshohej se Ritvan Keqi, i cili banon në zonën e Laçi dhe Mamurasit se kishte të fshehura në zonën e Thumanës armë zjarri automatik dhe lëndë plasëse tritol.
Nisur nga kjo situatë prokuroria ka autorizuar kryerjen e përgjimeve ambientale dhe blerjet e stimuluara përmes agjentëve policorë.
Pas disa blerjeve të stimuluara policia e Tiranës, bëri të mundur sekuestrimin e 14 armëve zjarri (12 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 automatikë), 2077 fara cannabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë.
Ndërsa ranë në prangat e policisë Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj, Adriano Shehu, Altin Pajaziti, Kadri Prushi.(të arrestuar më 1 prill).
Ndërsa u shpallën në kërkim Ridvan Keqi dhe A.N.



