Tre viktima në plazhe, dy pushues nga Maqedonia e Veriut mbyten në Spille, 59-vjeçari nga Kosova në Velipojë
Tre pushues nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë humbur jetën të dielën si pasojë e mbytjes. Ngjarja e parë e rëndë ndodhi në plazhin e Spillesë në Kavajë, ku shtetasit Mirko Micevski, dhe Cvetko Mitanovski, përkatësiht në moshën 79 dhe 78 vjeç, sapo u futën në det për t’u larë nuk arritën t’u bëjnë ballë dallgëve të fuqishme.
Edhe pse në vijën e plazhit të Spillesë janë vendosur vrojtues, këta të fundit e kanë pasur të pamundur për të shpëtuar dy të moshuarit. Ndërkaq pushuesi nha Kosova, Hasan Hasanaj, 59-vjeç humbi jetën teksa po lahej në plazhin e Velipojës.
Autoritetet thanë se pushuesi pësoi infarkt sa e bëri të pamundur shpëtimin e tij. Sipas burimeve, nga fillimi i sezonit veror dhe deri më tani, regjistron rreth 20 persona që kanë humbur jetën në plazhe, liqene dhe lumenj si pasojë e mbytjes. Në shumicën e rasteve viktimat i përkasin moshës 50-vjeç.
Gjatë këtij sezoni nuk kanë munguar rastet kur pushuesit janë ankuar se në plazhe mungojnë vrojtuesit., çka do të ishte efikase për shpëtimin e jetës së njerëzve.