Tenderat në Bulqizë, Lefter Alla kundërshton vendimin e GJKKO-së: Akuza e SPAK, e pabazuar dhe në shkelje të ligjit
Ish-krybashkiaku i Bulqizës Lefter Alla kundërshton vendimin e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Kjo e fundit caktoi ndaj tij masën e sigurimit "arrest me burg" për një tendër me vlerë mbi 2.8 milion euro, me akuzën e "shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Mbrojtja e Allës pretendon se akuza e shkeljes së barazisë në tendera e ngritur nga SPAK është e pabazuar dhe në shkelje të ligjit.
Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm Aida Dollani do të vendosë nëse do e pranojë kërkesën e të pandehurit.
Ndërkohë, seanca pas shortimit të gjyqtares, është caktuar të mbahet këtë të premte në orën 09:30 pranë Apelit të Posaçëm.
Lefter Alla ra në pranga në mesin e muajit të kaluar, bashkë me 12 persona të tjerë, dy prej të cilëve u lanë në arrest shtëpie, zyrtarë të Bashkisë së Bulqizës apo përfaqësues të biznesit që përfituan tenderin.
Përveç shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera, ndaj disa prej anëtarëve të grupit rëndojnë edhe akuzat e “Falsifikimit të dokumentave” apo “Falsifikim i formularëve.
Nga hetimi ka rezultuar se për Lefter Allën evidentohet se ka shkelur procedurat e prokurimit publik të 30 prillit 2021 për ndërtimin e rrjetit të furnizimit dhe të shpërndarjes së ujësjellës-kanalizimeve, në Lagjen e Vjetër të qytetit të Bulqizës.
Alla së bashku me zyrtarë të tjerë përgjegjës të bashkisë, sipas SPAK, kanë krijuar avantazhe gjatë procedurës së prokurimit në mënyrë që garën ta fitonte kompania që donin ata, përkatësisht, mikut të kryebashkiakut, Aqif Konesha.