Tiranë, dy të plagosur me armë zjarri për gërvishtjen e makinës, identifikohet autori
Gërvishtin makinën, nxjerrin armët, autori i dyshuar Aldo Iamandi Gjini, i shpallur në kërkim ndërkombëtar
Dy persona kanë mbetur të plagosur pas një konflikti që ka nisur për gërvishtjen e një makine në kryeqytet. Policia ka identifikuar autorin, i cili rezulton të jetë një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për tentative vrasje në Luksemburg në nëntor të vitit të kaluar.
Një konflikt, i cili dyshohet se ka nisur pas një sherri për gërvishtjen e një makine, ka degjeneruar në përdorimin e armëve duke lënë 2 persona të plagosur. Altin Gjoka, 32 vjeç dhe Jetmir Marashi, 28 vjeç, janë të plagosurit, ndërkohë që si autor i dyshuar është identifikuar Aldo Iamandi Gjini, 31 vjeç.
Të shtënat me armë zjarri u regjistruan mbrëmjen e së shtunës në kryeqytet, në ambientet e një lokali në Rrugën Todi Shkurti.
Ora News mëson se Gjoka është plagosur në shpatull ndërsa Marashi ka marrë plagë në gjoks. Ky i fundit i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale te Trauma.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë ndërsa janë shoqëruar disa persona të pranishëm në vendngjarje për marrjen në pyetje, ndërkohë ka filluar edhe kërkimet për ndalimin e autorit të dyshuar.
Por 31-vjeçar Aldo Iamandi Gjini, rezulton të jetë një person me precedentë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për tentativë vrasje në Luksemburg, ku, më 20 nëntor të vitit të kaluar ai qëlloi me një pistoletë dhe plagosi rëndë një person.
Më herët ai ishte arrestuar në vitin 2006 në Itali për shpërndarje të lëndëve narkotike ë qytetin e Askolit.
Gjini, në atë kohë 26 vjeç, ra në pranga bashkë me vëllain e tij Andis Gjini, ndërsa Kelvin Strati u la në "arrest shtëpiak".
Banda e ngritur nga shqiptarët furnizonte me kokainë dhe marijuanë rrethinat në Askoli.
Në momentin e arrestimit shqiptarëve dhe një të riu italian, iu gjetën 250 gramë kokainë dhe 1 kilogramë hashash.