SPAK "rihap" Gërdecin dhe çon Mediun për ndjekje penale në gjykatë: Nuk ka imunitet

Fatmir Mediu do të përballet sërish me drejtësinë për tragjedinë e Gërdecit. Çështja u depozitua në Gjykatë të Lartë nga SPAK, pas denoncimit të familjes Durdaj, e cila humbi djalin 7 vjeçar. SPAK thotë se me ndryshimet kushtetuese tashmë nuk ka asnjë pengesë për ndjekje penale ndaj Mediut, atë kohë Minister i Mbrojtjes.  

SPAK vë në lëvizje Gjykatën e Lartë për dosjen "Gërdeci" dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Çështja u rikthye në institucionet e drejtësisë nga familja Durdaj, e cila humbi djalin 7 vjeçar Edisonin.

Feruzan dhe Zamira Durdaj depozituan ne Prokurorine e Posaçme Antikorrupsion kërkesën për ndjekjen penale ndaj ish- ministrit të Mbrojtjes në atë kohë dhe rihapjen e çështjes, e cila u pushua në 2009 nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.  

Në një njoftim të posaçëm, SPAK bën me dije se nga analizimi i pretendimeve të parashtruara në kërkesën e çiftit Durdaj, ka arritur në përfundimin se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes ndaj Mediut.

Prokuroria e Posaçme thotë se nuk ka asnjë pengesë për vazhdimin e ndjekjes penale për çështjen ndaj tij.

Po ashtu SPAK argumenton se pengesa e autorizimit për proçedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.

Bëhet fjalë për ekzistencën e imunitetit parlamentar që Mediu gezonte gjatë procesit të ndjekjes penale.

Mediu u akuzua për "shpërdorim detyre" të kryer në bashkëpunim, me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Në 2008, Prokuroria e Përgjithshme rregjistroi proçedimin dhe mori ne ndjekje penale Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu si dhe shumë persona të tjerë.

Çështja i kaloi Gjykatës se Lartë, Kolegji i së cilës një vit më pas  vendosi pushimin e çështjes.

Atëherë, Kolegji Penal arsyetoi se zgjedhja e rizgjedhja e Mediut deputet, pas dërgimit të çështjes në gjyq dhe mungesa e një autorizimi për proçedim të Kuvendit për të, është një prej rrethanave në bazë të të cilit ndjekja penale e filluar në ngarkim të shtetasit Fatmir Mediu nuk mundet që të vazhdojë.

Por tani me ndryshimet që i janë bërë Kushtetutës nga 2012 në 2017 deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale ndaj tij, për hetimin apo për gjykimin e tij.

13 vite më parë, më 15 mars, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në Gërdec, ku firma “Albademil” demontonte municione luftarake, ndodhën një seri shpërthimesh.

26 persona humbën jetën ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën rëndë. Ngjarja me përmasa tragjike shkaktoi pasoja në shtëpite e banorëve pasi rrafshoi çdo ndërtesë në zonë, duke përfshirë edhe pasuri publike.

EMISIONET