SPAK “gris” marrëveshjen e dytë/ Kërkon 25 vite burgim për Klevis Allën për 4 vrasje. 6 vite për Xhixhën dhe 5 për Enver Divën. Pushon akuzën për Altin Ndocin
Prokuroria e Posaçme SPAK, ka grisur marrëveshjen e bashkëpunimit me të arrestuarin Klevis Alla, një nga bashkëpunëtorët e parë të dosjes “Dumani”, i cili fillimisht tregoi pjesëmarrjen e tij në 4 vrasje të kryera në Durrës.
Kjo është marrëveshja e dytë që SPAK anulon me një “Bashkëpunëtor Drejtësie”, duke kërkuar për Allën një dënim prej 25 vite burgim.
Bëhet fjalë për vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj dhe ekzekutimin e dy miqve të tyre Anxhelo Avdija dhe Dorjan Shkoza.
Për këto 4 vrasje të ndodhura në vitin 2020 prokuroria e Posaçme SPAK ka kërkuar në pretencën e saj 25 vite burgim për Klevis Allën, bashkëpunëtorin e parë të Drejtësisë, 6 vite burgim për Besian Xhixhën të akuzuar për “Sigurim i kushteve për të kryer vrasje” dhe 5 vite burgim për Enver Divën edhe ky i fundit I akuzuar për “Sigurim i kushteve për të kryer vrasje”.
Ndërkohë, gjatë leximit të pretencës prokuroria ka kërkuar pushimin e akuzave për të arrestuarin Altin Ndoci, pasi vepra penale kundër tij nuk janë provuar.
Ndoci u implikua në këto 4 vrasje nga dëshmia e Klevis Allës, i cili gënjeu prokurorinë duke pohuar se vrasjet i kishte kryer së bashku me Talo Çelën dhe Altin Ndocin.
Tashmë për këta dy persona akuzat janë pushuar, pasi njerëzit realë që kanë marë pjesë në këto 4 vrasje janë Klevis Alla, Nuredin Dumani, Henrik Hoxhaj, Eljo Bitri dhe Erjon Alibej.
