Sot Sulltan Novruzi, festa më e rëndësishme e bektashinjve, Politika uron: Pranvera të çelë në zemrat tuaja
Besimtarët bektashinjë kremtojnë sot Ditën e Sulltan Novruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu.
Festa e Sulltan Novruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Alit në Qabe. Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.
Dhe siç ndodh në këto raste, nuk mungojnë dhe urimet për besimtarët nga përfaqësues të politikës shqiptare.
I pari që ka përcjellë urimin e tij për besimtarët bektashinj do të ishte kryeministri Edi Rama, i cili përmes rrjeteve sociale uron që pranvera të çelë në zemrat e tyre si vetë kuptimi i kësaj dite të bekuar.
"MIRËMËNGJES! Dhe në festën e Sulltan Nevruzit, uroj që pranvera të çelë në zemrat tuaja si vetë kuptimi i kësaj dite të bekuar", shprehet kryeministri Edi Rama.
Berisha: Sulltan Novruzi tjetër të na gjejë pa Sulltan Salep Surrelin
Kryetari demokrat, Sali Berisha, uroi shqiptarët me rastin e festës së Sulltan Novruzit.
"Gëzuar ditën e Sulltan Novruzit! Të dashur miq, Bektashinjve shqiptarë ju uroj nga zemra gëzuar ditën e madhe dhe të bekuar, Sulltan Novruzin.
Kjo ditë për bektashinjtë dhe mbarë besimtarët e Zotit, është ditë besimi, mbarësie dhe shprese.
Për të gjithë ne, ditë e lindjes, jetës dhe shpresës së pashuar! Le të urojmë që Sulltan Novruzi tjetër të na gjejë më mirë në paqe, harmoni dhe pa monizmin e narkoshtetin e Sulltan Salep Surrelit! Gëzuar!", uron Berisha.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi uroi besimtarët bektashinj me pamje nga Tyrbja e Abaz Aliut në Malin e Tomorrit.
“Uroj gëzuar Sulltan Novruzin për të gjithë bektashinjtë. Kjo ditë e shenjtë e shpresës dhe ripërtëritjes sjelltë pranverë në zemrat tuaja. Gëzuar”, shkroi Çuçi në rrjetet sociale.
Edhe ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi uroi sot besimtarët bektashin për festën e Sulltan Nevruzit.
“Gëzuar Ditën e Sulltan Novruzit të gjithë besimtarëve bektashinj!”, shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali uroi sot besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit me anë të disa vargjeve.
“Më çdo anë e kërkova,
Thashë: ku është Perëndia,
Po më pasdaj e mësova,
Qënke ndaj meje e s’e dija.
Gëzuar Sulltan Nevruzin!”, shkroi Spiropali në rrjetet sociale.
Festa e Sulltan Novruzit
Në Shqipëri Dita e Sulltan Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.
Në vendin tonë sekti i bektashinjve, është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.
Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.
Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai u krijua në Anadoll në shekullin e XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj Haxhi Bektash Beliu. Në Shqipëri, Bektashizmi depërtoi me pushtimin osman në qytete dhe qendra garnizonesh si Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Frashër etj.
Sipas burimeve historike, Bektashizmi njohu një përhapje të gjerë në popullsinë shqiptare të pakënaqur nga reformat centralizuese të Portës së Lartë, pasi kleri bektashi përkrahu lëvizjet popullore kundër pushtetit osman, si dhe përdori gjuhën shqipe për një letërsi të tijën.
Gjatë Rilindjes Kombëtare bektashinjtë e mbështetën luftën për liri dhe gjuhën kombëtare, ndër të cilët veprimtarët Baba Alushi i Frashërit dhe Baba Hyseni i Melçanit.
Një varg teqesh të tyre u shndërruan në qendra të lëvizjes kombëtare. Pas Kongresit të Lushnjës bektashizmi u njoh zyrtarisht si komunitet fetar i pavarur. Në vitin 1924 selia Botërore e Bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë. I detyruar nga regjimi komunist, bektashizmi, si pjesë e ideologjisë fetare, e pushoi veprimtarinë e tij në vitin 1967, për ta rifilluar përsëri gjatë vitit ’91.
Ritet e festës së Sulltan Novruzit
Për ndër të kësaj dite, amvisat bëjnë një laknur (byrek) të veçantë për këtë ditë, pasi në harxhë futen 12 gjethe lakrash të llojeve të ndryshme dhe një monedhë metalike.
Në darkë për pjesëtarët e familjes nxirret përpara byreku, që ndahet në aq pjesë sa anëtarë janë. Zonja e shtëpisë përpara se të nisë zgjedhjen e pjesëve, lutet për fatet e pjesëtarëve të familjes dhe më pas, secili zgjedh pjesën e vet. Ai që gjen monedhën ( leku), duhet patjetër që të blejë për shtëpinë një kilogram kripë, pasi parashikon një vit të mbarë.
Ndërsa mbaron ky rit, familjet bektashiane në shenjë respekti e shpërndajnë një pjesë të byrekut nëpër familje kristiane. /ATA