Skandal: Nga materniteti në burg, arrestohet 8 ditë pas lindjes gruaja në Shkodër

Naim Bahçja nga fshati Drisht i Postribës në Shkodër prej një jave po kujdeset për fëmijën e tij të porsalindur.

Bashkëshortja e Naimit, 25 vjeçarja Diana Bahçja është arrestuar nga policia duke e shkëputur nga djali i saj vetëm 8 ditësh, pasi gjykata e shkallës së parë në Tiranë i ka vendosur një gjobë në vitin 2020 prej 2 milionë e 500 mijë lekë të vjetër, duke ia konvertuar një javë më parë, në 50 ditë burg.

Naim Bahçja thotë se gruaja e tij u arrestua pa pasur asnjë dijeni as për gjobën e vendosur para tre vitesh dhe as për vendimin e dënimit me burg.

Diana Bahçja është dënuar për braktisjen e një fëmije nga martesa e parë, por ajo mohon ta ketë bërë këtë gjë.

Në një bisedë telefonike nga burgu i grave në Tiranë, e dënuara thotë se ish-bashkëshorti pasi e ka keqtrajtuar e ka nxjerrë nga shtëpia duke mos ia lënë as vajzën.

Aktualisht për djalin që sapo ka mbushur dy javë nga momenti i lindjes kujdeset babai Naimi dhe mbesa e tij 11 vjeçare.

Apeli i 28-vjeçarit është që bashkëshortja e tij të lirohet sa më parë dhe të kthehet tek fëmija i porsalindur ndërsa tregon se është i gatshëm që të marrë edhe vajzën që bashkëshortja e tij ka nga martesa e parë.

EMISIONET