Sindikata e Pedagogëve fton studentët në një tubim më 22 shkurt
Të mërkurën e 22 shkurtit pedagogët do të rikthehen në protestë.
"Le të jetë ky një tubim i përbashkët i profesoratit, stafit ndihmësakademik dhe ndihmësadministrativ, studentëve dhe më gjerë."
Pesë muaj nga protesta e parë zhvilluar në shtator të vitit të shkuar, problemet që ata kanë adresuar mbetën pa zgjidhje.
"Mbetet ende pa përgjigje kërkesa jonë për shtesën e pagës për vjetërsinë në punë, shtesë e cila duhet të kishte filluar të zbatohej që në janar të 2023. Vazhdon të mbetet pa përgjigje kërkesa për njohjen dhe kompensimin e stafit ndihmësakademik dhe administrativ, ende nuk ka marrë formë kërkesa për rivlerësimin e orës mësimore ndërkohë".
Rritja e pagës me 50% brenda dy viteve mbetet kërkesë e pandryshuar.
"Pagat në gjithë rajonin janë rritur nga 41%-60% nga 2019, vetëm në Shqipëri nuk ka pasur rritje dhe u quajt një rritje e madhe 15% për profesoriatin që nuk ishte rritur që në 2004".
Thonë se kërkesat i kanë minimale dhe të drejta, por qeveria nuk ka vullnet për realizimin e tyre.
"Deklaratat dhe qëndrimet e qeverisë për të mos mbështetur financiarisht arsimin e lartë në lidhje me rritjen e pagave dhe fondit për kërkimin shkencor dëshmon mungesën e njohjes, por edhe ndjeshmërisë së pushteteve ndaj asaj që po ndodh në universitetin dhe gjithë shoqërinë tonë".
Kreu i Sindikatës së punonjësve të universiteteve të Shqipërisë, Sandër Kovaçi, kundërshtoi edhe VKM-së për privatizimin e universiteteve.
"Ligji me anë të aplikimit të këtij kreu paralizon misionin e universitetit si një e mirë publike duke kundërshtuar e trajtuar atë si një provë private dhe si burim fitimesh. Zbatimi i kësaj VKM-je do të sjellë shumë shpejt mbylljen e disa universiteteve të rretheve gjë që do të sjellë she shpopullimin e këtyre qendrave nga elita intelektuale".
Vitin e shkuar pedagogët zhvilluan disa protesta si dhe bojkotuan procesin mësimor, duke kërkuar më shumë buxhet për arsimin e lartë dhë kërkimin shkencor si dhe rritjen e pagave të tyre.
