Sezoni veror, Lamallari: Patrullime 12-orëshe, stacione provizore pranë zonave turistike

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari informoi sot mbi masat e marra për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik.

Gjatë një konference për medie, Lamallari theksoi se ka një rritje të flukseve të turistëve nga vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë.

Për mbarëvajtjen e sezonit turistik, ministri theksoi se “Policia e Shtetit dhe struktura të tjera kanë marrë masat përkatëse jo vetëm për garantimin e sigurisë, por edhe të një trajtimi shumë miqësor nga pikat kufitare, ku është perceptimi i parë që krijohet për vendin tonë”.

“Janë marrë masa për të garantuar sigurinë në tërësi në territor për të gjithë ata që vendosin të vizitojnë plazhet e Shqipërisë, zonat malore dhe qendrat muzeale”, tha ministri.

Lamallari theksoi se ka shtim të pranisë policore në zonat turistike dhe janë vendosur patrullime të veçanta 12-orëshe, gjatë periudhës 1 korrik – 31 gusht 2026.

“Kemi ngritur stacione provizore pranë zonave me interes të lartë turistik si në Valbonë, Theth, Koman, Tale, Gjirin e Lalëzit dhe Ksamil”, shtoi ai.

Ministri u ndal te forcimi i kontrollit të trafikut dhe menaxhimi i flukseve edhe në pikat e kalimit kufitar.

“Janë shtuar sportelet e përpunimit të pasagjerëve në porte dhe aeroporte dhe pikat e kalimit kufitar. Shqipëria po spikat për aftësitë e kapaciteteve policore për përpunimin e pasagjerëve që vijnë në vendin tonë. Koha e hyrjes në Rinas është minimizuar në pak sekonda përmes përdorimit të e-Gate. E njëjta gjë do të ndiqet edhe në portet e Durrësit dhe Sarandës ku po punojmë për të prezantuar e-Gate që të kemi lehtësim të procedurave të kontrollit kufitar”, tha Lamallari.

EMISIONET