Andoni: Protesta përballet me lodhje, qytetarët presin reflektim
Analisti Ben Andoni, i ftuar në një intervistë për “Ora News”, komentoi zhvillimet e protestës dhe reagimin e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se pushteti ka arritur të përfitojë një moment qetësie, por përballë tij mbetet një pakënaqësi e thellë qytetare.
Sipas Andonit, protesta po përballet me vështirësi për shkak të mungesës së një reagimi nga qeveria dhe përpjekjeve për ta delegjitimuar atë.
“Zoti Rama, me çfarë shikoj, personalisht ka marrë pak oksigjen. Ka marrë pak oksigjen sepse protesta e ka jashtëzakonisht të vështirë që të përballet me një pushtet që nuk i përgjigjet dhe mbi të gjitha me një pushtet i cili po mundohet ta denigrojë”, tha Andoni.
Ai u shpreh se zgjatja e protestës sjell edhe sfida të brendshme, pasi përfshirja e grupeve dhe individëve të ndryshëm mund të krijojë kundërthënie dhe debate.
“Sa më shumë zgjatet protesta, aq më shumë ka mundësi që për shkak të grupeve të ndryshme që janë pjesë e saj, por edhe individëve të ndryshëm që shpalosin ide, të ketë jo vetëm kundërthënie, por edhe gjëra pa sens”, deklaroi analisti.
Megjithatë, Andoni theksoi se kryeministri duhet të lexojë arsyet që i kanë nxjerrë qytetarët në protestë dhe jo të fokusohet vetëm te numri i pjesëmarrësve apo gabimet e disa protestuesve.
“Vendi ka nevojë për reflektime dhe me çfarë shoh, reflektime nga ekzekutivi i zotit Rama nuk ka. Por edhe ai vetë ka arritur të kuptojë se shumë gjëra nuk shkojnë me administratën e tij”, u shpreh ai.
Duke folur për përballjen e shoqërisë me pushtetin, Andoni tha se ndryshimet politike nuk ndodhin shpejt dhe solli si shembull zhvillimet në rajon.
“Përballja me autokracinë është shumë e gjatë. Nuk mund të mbyllet as brenda një muaji, as brenda një viti. Shikoni çfarë po ndodh në Serbi, ku prej vitesh shoqëria civile dhe opozita përballen me Vuçiçin”, tha ai.
Analisti argumentoi se një pjesë e protestuesve nuk janë thjesht kundër qeverisë, por po reagojnë ndaj një ndjenje të akumuluar padrejtësie.
“Padrejtësia është aq e madhe në kurrizin e disa njerëzve sa protesta është i vetmi element përmes të cilit ata mundohen ta përcjellin publikisht dhe ta ndajnë me të tjerë që kanë të njëjtin fat”, deklaroi Andoni.
Ai komentoi edhe rënien e intensitetit të protestës, duke e lidhur me lodhjen e qytetarëve, mungesën e reagimit nga qeveria dhe kushtet e muajit të verës.
“Njerëzit i ka stepur lodhja, mospërgjigjja, mosreflektimi dhe arroganca. Korriku është muaji më i vështirë, stina më e vështirë e vendit tonë. Nuk e di vazhdimësinë e kësaj proteste, por besoj se me kalimin e kohës mund të fashitet”, tha ai.
Në fund, Andoni kritikoi parashikimet e disa analistëve për ndryshime të mëdha të menjëhershme në qeveri, duke i cilësuar ato si të dëmshme për pritshmëritë e qytetarëve.
“Zoti Rama e ka treguar realisht që nuk do të reagojë siç e presin njerëzit. Ka arritur në një moment që ai ka bërë një përsiatje, por mbetet për t’u parë nëse do të ketë reflektim real”, përfundoi Ben Andoni.
Ben Andoni: Në këtë sens po them që Zoti Rama, me çfarë shikoj, personalisht ka marrë pak oksigjen. Ka marrë pak oksigjen sepse me çfarë shikoj, protesta e ka jashtëzakonisht të vështirë që të përballet me një pushtet që nuk i përgjigjet dhe mbi të gjitha të një pushteti i cili po mundohet ta denigrojë. Nga ana tjetër, sa më shumë zgjatet protesta, aq më shumë ka mundësi për shkak të grupeve të ndryshme që janë pjesë e kësaj proteste, por dhe individëve të ndryshëm që tashmë po shpalosin ide, që të ketë jo vetëm kundërthënie, por të ketë edhe gjëra pa sens dhe shumë gjëra të tjera.
Në këtë sens, monologu i Zotit Rama është i tepruar. Sepse vendi ka nevojë për reflektime, dhe me çfarë shoh reflektime nga ekzekutivi i Zotit Rama nuk ka. Por gjithsesi edhe ai vetë ka arritur të kuptojë se shumë gjëra nuk shkojnë me administratën e tij dhe për këtë ndoshta ndjen mirë personalisht. Nuk ka ndodhur ndonjë gjë e madhe. Ka ndodhur që këto grupime kanë filluar të mendojnë që të jenë.
Se beteja me autokracinë, nuk dua ta quaj luftë, ose të themi përballja me autokracinë, dhe në një farë mënyre pushteti që është në Shqipëri ka marrë elementë autokratikë mirëfilli, është shumë e gjatë. Dhe në këtë sens nuk mund të mbyllet as brenda një muaji, as brenda një viti. Shikoni çfarë po ndodh në Serbi. Ka vite që shoqëria civile, intelektualë, parti opozitare, po dhe lëvizje të ndryshme që kanë ndodhur, nuk kanë arritur t'i bëjnë asgjë zotit Vuçiç. E njëjta gjë është edhe në Shqipëri. E njëjta gjë ka qenë dhe në Mal të Zi, por për fatin e mirë atje u bë çfarë u bë dhe e hoqën Gjukanoviçin. Në këtë rast jemi ne të dy, shikon që vazhdimisht ne përballemi me padrejtësinë.
Dhe atij që i kemi dhënë votën, sepse në këtë rast llogaritet sikur ne të gjithë shqiptarët kemi votuar për zotin Rama, nuk arrin që ta zbatojë këtë kontratë, nuk arrin të reflektojë për këtë kontratë. Dhe kur ka përballë edhe një sistem drejtësie e cila e ushqen padrejtësinë në vendin tonë, që është një temë tjetër. Atëherë problemi është jashtëzakonisht i madh. Këta njerëz që ju i shikoni, një pjesë po kundërshtojnë sepse duan të kundërshtojnë, po iu është kthyer në modus jetese. Po kini parasysh, padrejtësia është aq e madhe në kurrizin e disa njerëzve sa është i vetmi element nëpërmjet protestës që ata mundohen ta përcjellin publikisht dhe ta ndajnë edhe me të tjerë si ata.
Dhe ky është një lloj, nga ana sociologjike, është një lloj ngushëllimi sepse ti gjen edhe të tjerë me fatin tënd ndër masën e madhe që nuk e njeh. Këtë duhet të lexonte zoti Rama. Këtë duhet të lexojnë njerëzit e vet, dhe mos të merren me numrat e protestuesve ose për shembull me gafat që kanë bërë një pjesë e njerëzve në Foltore, ose përplasjet që kanë tashti brenda grupit, atij grupi që mban Foltoren. Janë disa grupe të tjera online që merren me ide politike e të tjera, por që në mendimin tim janë jashtëzakonisht...
Jo, unë mendoj që njerëzit i ka stepur pak lodhja, njerëzit i ka stepur pak mospërgjigjja, njerëzit i ka stepur pak mosreflektimi, njerëzit i ka stepur pak arroganca. Dhe në këtë sens duke i shtuar edhe faktin që korriku është muaji më i vështirë, stina më e vështirë e vendit tonë, atëherë bën sens.
Unë nuk e di vazhdimësinë e kësaj proteste, por besoj që me kalimin e kohës duke pasur në kokë edhe protestat e vendeve të tjera, do arrijë të fashitet. Por normalisht zoti Rama ka marrë një përgjigje të madhe nga publiku dhe dokumentat që ai ka përballur sot janë dokumenta që në mendimin tim është mirë që t'i punonte pa bërë këtë bujë, por që të punonte realisht me administratën e tij. Administrata e zotit Rama është një nga administratat më arrogante të Shqipërisë mbas, mbas vitit '90.
E dashur kolege. Gjëja që duhet të bëjmë, domethënë, dhe ju keni mundësi shumë më tepër se unë tani sepse ju jeni në pozicionin e intervistuesit, është që t'u vëmë frenë njerëzve të cilët bëjnë parashikime të tilla. Unë për fatin jo të mirë të këtyre ditëve, kam ca ditë që nuk jam ndodhur në vend, më bën përshtypje diçka. Kam dëgjuar gati parashikime fataliste. '90% e qeverisë ndryshon', e të tjera e të tjera e të tjera, me një bindje kategorike dhe prapë janë të njëjtët njerëz që për etikë nuk po ua përmend emrin, të cilët kanë guximin dhe bëjnë prapë parashikime të tilla.
Në këtë sens jo vetëm po e dëmtojmë vendin, jo vetëm po dëmtojmë atë pritshmërinë e njerëzve që kanë, sepse njerëzit, më besoni, përballen me vështirësi të jashtëzakonshme. Por në një farë mënyre prishim edhe atë pjesën e formimit tonë demokratik. Zoti Rama e ka treguar realisht që nuk do të... nuk do të reagojë siç e presin njerëzit. Dhe me çfarë shikoj, i përmbahem asaj që ju thashë pak më në fillim. Ka arritur në një moment që ai ka bërë një përsiatje.

