Sekuestrohen 11 kg lëndë narkotike dhe një kallashnikov, arrestohet 1 person në Krujë

Sekuestrohen 11 kg lëndë narkotike dhe një kallashnikov,

Një person është arrestuar dhe një tjetër është proceduar pasi kishin përshtatur një ambient në fashtin Mafsheq të Krujës për tharjen e bimëve narkotike. U sekuestruan 11 kg lëndë narkotike, 1 kallashnikov dhe municion luftarak. 

Njoftimi i policisë Krujë:

Finalizohet operacioni policor i koduar "Outside", për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Kishin përshtatur një ambient, në fshatin Mafsheq, për tharjen e bimëve narkotike, vihet në pranga 1 shtetas, procedohet penalisht një tjetër. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Sekuestrohen 11 kg lëndë e dyshuar narkotike në proces tharjeje, 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, që u gjetën të fshehura në afërsi të ambientit ku thaheshin bimët narkotike.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, kapjen në flagrancë të shtetasve që kryejnë vepra penale, kontrolleve të ushtruara për parandalimin e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Outside".

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 31 vjeç, banues në Domje, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për një të mitur 16 vjeç, banues në Fushë Krujë. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi O. C., 20 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Këta 3 shtetas kishin përshtatur një ambient në afërsi të banesës së shtetasit A. M., në fshatin Mafsheq, për tharjen e bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën rreth 11 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe disa bimë në proces tharjeje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 1 armë zjarri, që u gjet e fshehur gjatë kontrollit të ambientit në afërsi të bimëve narkotike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

EMISIONET