Samiti i BE dhe Ballkanit Perëndimor më 6 dhjetor, ja rrugët e bllokuara dhe devijimet në Tiranë
Masat e sigurisë për samitin e BE- me vendet e Ballkanit Perëndimor janë bërë shkak për bllokimin dhe devijimin e qarkullimit në akset kryesore të Tiranës dhe aeroportit të Rinasit. Policia ka publikuar hartën e kufizimeve të trafikut duke sqaruar edhe rrugët alternative për hyrjen në Tiranë nga veriu, nga Durrësi por edhe nga Elbasani. Rruga nga aeroporti, në Qafë Kashar e më pas drejt Tiranës, do të jetë e bllokuar deri në rreth rritullimin e Saukut dhe rrugën e Elbasanit.
Samiti i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor që mbahet në Tiranë më 6 dhjetor, do të shoqërohet me super-masa sigurie.
Policia e Shtetit publikoi hartën e bllokimeve dhe devijimeve të trafikut, që nis nga ora 06:00 e dates 06.12.2022 e deri ne oren 18:00.
Të bllokuara do jenë rruga Rinas - Qafë Kashar dhe anasjelltas, Autostrada Tiranë- Vorë dhe anasjelltas, Unaza madhe nga ish Sheshi Shqiponja - Rrethi i Sanatoriumit dhe anasjelltas, Rruga e Elbasanit nga Rrethi Sanatoriumit deri tek Ura Elbasanit dhe anasjelltas dhe të gjitha rrugët që lidhin Rr. Elbasanit me stadiumin, bulevardin dhe Pallatin e Kongreseve.
Prej orës 14.00 të së hënës, në këto segmente nuk lejohet parkimi i mjeteve, përfshirë edhe banorët e zonës të cilët janë njoftuar se nëse shkelin këtë masë, do të përballen me spostimin e mjeteve nga Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit.
Automjetet e emergjencave mjekesore dhe emergjencave civile nuk do të kenë pengesa, perveç kontrolleve policore në perimetrin e sigurisë.
Bllokimi i trafikut dhe devijimi në autostradat dhe rruget interurbane që të çojnë drejt Tiranës, do të fillojë në orën 07:00, ndërsa në qytet në perimetrin e sigurisë duke filluar nga ora 06:00 dhe në rrugët e tjera që përfshihen në itenerarin e levizjeve në orën 08:00.
Çdo lëvizje e domosdoshme me mjet sugjerohet të bëhet përpara këtij orari dhe të evitohen levizjet në rrugët që do shoqërohen me bllokime dhe devijime, për motive sigurie.
Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Veriu me destinacion aeroportin e Rinasit rrugëkalimi do të bëhet nga aksi Fushë Prezë – Rinas.
Drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Durrësi me destinacion aeroportin e Rinasit, do të kalojnë nga Vora- Rruga e Vjetër e Fushë Krujës.
Drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Juglindja me destinacion aeroportin, do të kalojnë nga Elbasani - rrethrrotullimi Tegut- Unaza Lindore- Paskuqan -Kamëz- Kryqëzimi Valiasit drejt aeroportit.
Të gjitha emergjencat mjekësore që vijnë nga Veriu dhe Jugu gjatë kohës së bllokimit të trafikut, për në drejtim të Spitalit të Traumës, duhet të ndjekin rrugët alternative nga Paskuqani-Azem Galica-Shinat e Trenit - Spitali i Traumës, dhe nga rruga e Shkodrës-Petrit Radovicka-Gjergj Legisi-Lord Bajron-Spitali i Traumës.
Ndërkohë emergjencat mjekësore në drejtim të QSUT dhe Spitalit Shefqet Ndroqi, duhet të ndjekin unazën lindore kur vijnë nga Juglindja për të vijuar nga Shkoza-Kryegjyshata Botërore-Farkë-Sanatorium dhe Kodra e Priftit- QSUT.
Policia i ka bërë thirrje qytetarëve të evitojnë lëvizjet e panevojshme më 6 dhjetor.

