Protesta qytetare, Halili: Revolta është kundër sistemit, jo vetëm qeverisë!
Protestat që po zhvillohen në Tiranë janë shndërruar në një shprehje të pakënaqësisë së akumuluar ndër vite ndaj mënyrës së qeverisjes dhe funksionimit të sistemit politik në Shqipëri. Kështu u shpreh gazetari Ardit Halili në një intervistë për "Ora News", duke theksuar se protestat kanë ruajtur karakter paqësor dhe qytetar, çka sipas tij përbën një nga elementët më të rëndësishëm të tyre.
Sipas Halilit, momenti që shërbeu si pikë kthese ishte dhunimi dhe tërheqja zvarrë e një qytetari nga punonjës të sigurisë private në Zvërnec, përpara syve të policisë. Ai tha se jo vetëm ngjarja, por edhe reagimi fillestar i institucioneve dhe përpjekjet për ta minimizuar atë, krijuan bindjen se padrejtësi të tilla po ndodhin çdo ditë, duke nxitur revoltën qytetare.
Gazetari theksoi se protesta nuk lidhet vetëm me projektin në Zvërnec apo ndërtimin e aeroportit pranë zonës së mbrojtur të Nartës. Sipas tij, shumica e protestuesve kanë dalë në shesh për problemet e tyre të përditshme, duke e parë protestën si një mundësi për të shprehur pakënaqësitë e grumbulluara prej 35 vitesh.
Halili vlerësoi se protesta nisi me vrull, por ritmi i saj është zbehur me kalimin e ditëve, pasi pjesëmarrja në protesta afatgjata bëhet gjithnjë e më e vështirë për qytetarët. Megjithatë, ai nënvizoi se mesazhi i protestës mbetet i njëjtë: kërkesa për ndryshim dhe përmirësim të funksionimit të institucioneve.
Duke komentuar edhe sloganet e dëgjuara gjatë protestave, Halili tha se është krijuar perceptimi se qytetarët nuk kanë besim as te mazhoranca dhe as te opozita.
Sipas tij, shumë protestues besojnë se forcat politike tradicionale janë pjesë e të njëjtit sistem, çka ka shtuar kërkesën për një frymë dhe alternativë të re politike.
Në përfundim, Ardit Halili u shpreh se protesta përfaqëson më shumë se një kundërshtim ndaj një projekti të vetëm. Sipas tij, ajo është shndërruar në një manifestim të pakënaqësisë së gjerë qytetare ndaj sistemit politik dhe institucioneve, ndërsa mbetet për t'u parë nëse kjo lëvizje do të arrijë të prodhojë ndryshimin që protestuesit presin.
Ardit Halili: Në 35 vitet e demokracisë në Shqipëri sepse jo vetëm po tregon pakënaqësinë ndaj jo vetëm qeverisjes por ndaj sistemit që ka funksionuar këto vite në Shqipëri, por edhe po tregon një qytetari për shkak se nuk ka dhunë, është paqësore, po përpiqet që të mbahet ky nivel i menaxhimit të situatës nga organizatorët, gjë që është për t'u vlerësuar.
E kam parë, ditët e para e kam parë pothuajse si çdo shqiptar, domethënë, ai momenti kur personi, qytetari goditet me grusht, tërhiqet zvarrë nga policia private, ishte momenti kyç që ndezi te çdo njeri i ndershëm i këtij vendi që jeton dhe punon çdo ditë për familjen e tij, një lloj vreri dhe inati të brendshëm të akumuluar ndër vite ndaj qeverisë. Si të thuash, ky ishte momenti kulminant i cili dha goditjen përfundimtare ose momentin që zgjoi shqiptarët që kjo gjë nuk po funksionon më, duhet diçka ndryshe. Nisi vrullshëm siç e thatë ti dhe ju. Ka momentet e veta sepse protesta nuk mund të qëndrojë me të njëjtin ritëm nga fillimi në fund me të njëjtin ritëm nëse mbahet e njëjta linjë.
Nëse vijon qëndron, bën të njëjtën gjë, del aty në shesh, mban fjalimet, bën atë marshimin e përnatshëm. Ky është momenti që fillon e zbehet, sepse njerëzit lodhen, duket sikur nuk kanë çfarë bëjnë, thotë: "po nuk shkova unë sot, do shkojë dikush tjetër", ndërkohë që numri atje bie. Ai që shikon nga televizori ul pritshmëritë, janë shumë gjëra që ndikojnë. Nga ana tjetër nisi për zvarritësin, por filloi dhe duke u zgjeruar, le të themi, pakënaqësitë e qytetarëve që kishin ndaj kësaj qeverie.
Për Zvërnecin, jo vetëm për ndërtimin që do bëhet atje, por edhe për aeroportin, për të mbrojtur atë zonën e mbrojtur të Nartës që thotë, janë jo prej javësh, jo prej muajsh, por prej më shumë se dy vitesh që kur ka filluar të ndërtohet aeroporti. Ka pasur protesta, janë dhënë lajmet për protestën, janë aktivistë të ndryshëm, kanë dhënë arsyet e tyre pse nuk duhet bërë aeroporti aty, pse nuk do të ketë zhvillim atje. Por thashë, ajo çfarë realisht e nxiti, me sa duket për të dalë te ajo që thatë juve, ishte momenti i tërheqjes zvarrë, jo thjesht momenti i tërheqjes zvarrë në sy të policisë nga policia privat.
Po dhe mosreagimi i policisë. Por tentativa për ta fshehur, ishte reagimi i parë i policisë së Vlorës e cila thoshte që një person kaloi dhunshëm dhe e morën ata të policisë private. Kjo gjë bëri të kuptojnë njerëzit, qytetarët e thjeshtë, që të mendojnë që kjo gjëja po funksionon çdo ditë, për çdo ditë po bëhen padrejtësi. Dhe në shesh, është quajtur si revolucioni i Flamengos, sepse është nisur nga kjo, ka qenë indicia apo nisja, por njerëzit në atë atje nuk dalin për Zvërnecin. Një bindja ime thotë që 80% e personave nuk kanë qenë në Zvërnec dhe nuk e dinë as çfarë aty ka pasur Flamingo ndonjëherë. Por kanë dalë për problemet e tyre, për atë çfarë i shqetëson.
Dalin dhe numërojnë hallet që kanë, kushdo që merr mikrofonin atje, thotë problematikat që ka. Tregojnë që kanë gjëra që i shqetësojnë shumë. Kanë thashë, aty janë 35 vite akumulim që njerëzit kanë gjetur momentin për të shpërthyer, për të thënë padrejtësitë që sipas tyre po u bëhen. Kjo është ajo çfarë e shtyu, i ka shtyrë njerëzit në protestë.
Nuk është thjesht projekti apo sepse njerëzit po dalin sepse janë kundër projektit. Aty ka dhe njerëz që janë pro projektit, por po dalin në protestë dhe e mbështesin protestën, për atë çfarë pritet të japë kjo protestë. Një ndryshim, një shkundje të sistemit, sepse ka shumë gjëra që nuk funksionojnë siç duhet.
Lexova diku që thoshte që Shqipëria është i vetmi vend në botë ku protestohet edhe kundër opozitës. Kjo për shkak se është krijuar perceptimi që parlamenti, të gjithë ata në parlament janë bashkë. Bëjnë një lojë të madhe sikur janë kundër njëri-tjetrit, grinden, ndërkohë që në tavolinë, nën tavolinë apo në takime të mbyllura duket sikur ndajnë ato pjesët, aksionet me njëri-tjetrin. Dhe ky perceptim sa vjen dhe është thelluar gjithmonë e më tepër.
Kjo, "Berisha në burg" thirret edhe për shkak se kryeopozitari, kryedemokrati Sali Berisha doli kundër protestës në ditët e para të saj, madje duke thënë që "ne e mbështesim projektin, është gjithçka në rregull, është biznes privat, edhe unë do e kisha dhënë". Dhe kjo gjëja e nxiti akoma dhe më tepër atë ndjenjën e revoltës, sepse u duk sikur ai perceptimi që "këta janë bashkë" u forcua dhe më tej. Dhe, dhe lindi nevoja për një frymë të re, për një lëvizje të re. Dhe ajo është çfarë pritet realisht nga kjo protestë, por që në këto 30 ditë, përveç se shpresës që do e nxjerrin, nuk duket se po e jep. Duke njohur vetë kryeministrin.

