Matura Shtetërore 2026, Llazo: Rezultatet më të larta se vitet e kaluara, por matematika mbetet sfidë për maturantët

Rezultatet e Maturës Shtetërore 2026 kanë shënuar një përmirësim krahasuar me vitet e mëparshme, megjithatë ato mbeten larg pritshmërive, sidomos në lëndën e matematikës.

E ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ishte ekspertja e arsimit, Ana Llazo, e cila vlerësoi se nota mesatare është rritur në matematikë, gjuhë shqipe dhe gjuhë të huaj, por thekson se nevojitet më shumë punë nga nxënësit dhe mbështetje më e madhe nga mësuesit për të përmirësuar rezultatet.

Sipas Llazos, matematika vijon të mbetet lënda më sfiduese për maturantët, pasi kërkon jo vetëm përgatitje intensive, por edhe prirje të veçantë. Ajo thekson se, pavarësisht rritjes së lehtë të rezultateve, nota mesatare dhe kalueshmëria nuk janë ende në nivele të kënaqshme.

Ndërkohë, rezultatet në gjuhët e huaja janë pozitive. Ekspertja argumenton se të rinjtë kanë investuar gjithnjë e më shumë në mësimin e gjuhëve, veçanërisht të anglishtes, duke i konsideruar ato një avantazh për tregun vendas dhe ndërkombëtar të punës.

Edhe në lëndën e gjuhës shqipe është regjistruar një përmirësim i rezultateve, sidomos në njohuritë gjuhësore. Megjithatë, Llazo evidenton se maturantët kanë shfaqur vështirësi në ushtrimet që kërkojnë logjikë, mendim kritik dhe krijimtari, veçanërisht në hartimin e eseve.

Duke komentuar nivelin e përgjithshëm të rezultateve, ajo shprehet se vlerësimi ndikohet edhe nga vështirësia e testit dhe mënyra e korrigjimit, por nënvizon se testet janë hartuar në përputhje me kurrikulën dhe janë rishikuar me kujdes përpara zhvillimit të provimeve.

Ekspertja shton se përgatitja për maturën duhet të nisë herët dhe të shoqërohet me angazhim të vazhdueshëm nga vetë nxënësit. Sipas saj, maturantët që hasin vështirësi kanë nevojë për mbështetje më të individualizuar nga mësuesit, në mënyrë që të përmirësojnë rezultatet në provimet përfundimtare.

Në përfundim, Ana Llazo thekson se rezultatet e Maturës 2026 pasqyrojnë nivelin e përgatitjes dhe përkushtimit të nxënësve gjatë viteve të gjimnazit. Ajo apelon për më shumë punë nga maturantët, mbështetje më të fortë nga mësuesit dhe përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë së arsimit, me synimin që rezultatet e viteve të ardhshme të jenë më të larta dhe më të qëndrueshme.

Ana Llazo: Në fakt këtë vit, për të thënë të vërtetën, janë pak më të larta sesa vitet e kaluara rezultatet, jo vetëm të matematikës, por edhe të gjuhës së huaj dhe gjuhës shqipe. Por gjithsesi, duke nisur nga nota mesatare dhe nga kalueshmëria, sigurisht që nuk është një rezultat i kënaqshëm.

Por unë do të doja të thoja dhe këtë gjë tjetër që, pak a shumë, duke qenë se është një lëndë pak më e vështirë, ndoshta përgatitja duhet të jetë më e madhe nga maturantët dhe gjithashtu edhe prirjet që këta kanë në lëndën e matematikës çalojnë në disa maturantë dhe kjo ndikon sigurisht në rezultate më të ulëta. Duke qenë se ka dhe një pjesë që duhet të jesh pak më vigjilent, pra ndoshta duhet të kesh një prirje të veçantë drejt kësaj lënde, atëherë kjo tregon pra që rezultatet nuk janë shumë të kënaqshme.

 Ndërsa, përsa i përket lëndës së gjuhës së huaj, unë e shikoj si pozitive, pra çdo vit lënda e gjuhës, gjuhët e huaja kanë qenë realisht me rezultate të larta, për shkak sepse të gjithë të rinjtë në fakt kanë investuar ndër vite, për të studiuar gjuhët e huaja, sepse i shikojnë si alternativa shumë të mira që i ndihmojnë në tregun e punës kombëtar dhe ndërkombëtar, dhe kryesisht anglishtja, por jo vetëm. Dhe normalisht, nëse investon, nëse përkushtohesh, sigurisht që dhe rezultatet do të jenë më të mëdha.

Ndërsa, për lëndën e gjuhës shqipe, ajo çfarë unë do të doja të shtoja këtë vit, njohuritë e gjuhës shqipe pra të thelluara, kanë dhënë rezultate më të larta tek maturantët, pra tek nota mesatare është pak a shumë e ngjashme, ose do të thoja e njëjtë me lëndën e gjuhës së huaj.

Dhe kjo është një diçka shumë pozitive. Vetëm gjëja, jo aspekti negativ, që unë shikoj është që, aty ku nxënësit kanë çaluar, kanë qenë kreativiteti, pra ose do të thoja ushtrimet e testit që kanë pasur të bëjnë pak me logjikën, dhe me esetë, pra krijimtarinë apo krijueshmërinë. Pra unë mendoj që ne duhet të bëjmë shumë punë për të arritur rezultate akoma më të mira, jo vetëm të gjuhës shqipe, të gjuhës së huaj, matematikës, por i arsimit,  i sistemit parauniversitar në tërësi, patjetër që dhe universitar.

Është e ulët si shifër, por unë e thashë që varet edhe nga vështirësia e testit. Gjithashtu ka të bëjë dhe forma apo mënyra se si janë korrigjuar. Unë nuk po them që janë korrigjuar gabim, por varet nga se si i vlerëson një mësues për shembull testet, pak a shumë. Pra, diku mund të ketë pak më lirshmëri, diku mund të ketë më pak: Shqetësuese janë sepse ne duhet të shpresonim për rezultate më të qarta, por gjithsesi ky është realiteti dhe ne nuk mund të bëjmë dot.

Tashmë përsa i përket kurrikulës, unë mendoj që testet janë aty ku duhet, sepse ato rishikohen mirë përpara se t'i serviren maturantëve edhe tezat provë, por edhe teza finale që është e provimit të maturës. Por përsa i përket më pas rezultateve të arritshmërisë dhe përsa i përket vetë njohurive që kanë maturantët në lëndën e matematikës, unë do të thoja që duhet shumë më shumë punë nga vetë maturantët dhe nga faza parapërgatitore para provimit për të pasur dhe për të arritur rezultate sa më të larta në vitet në vijim.

Po, patjetër që nxënësit që hasin më shumë vështirësi duhet një punë e shtuar, pra do të thoja punë e dyfishtë. Dhe patjetër që faza parapërgatitore ka nisur që në janar, por kjo varet dhe nga interesi që ka vetë secili maturant. Sepse ka maturantë të cilët nuk fokusohen, për shembull, tek faza përgatitore dhe në momentin që nuk fokusohen apo që nuk përgatiten për më mirë, sigurisht që do të çalojnë edhe në rezultate gjatë gjithë vitit, por edhe në testin final të maturës.

Por unë mendoj që një mbështetje nga mësuesit, jo se ka munguar, por një mbështetje e fortë,  pra për t'i specifikuar ata nxënës që kanë probleme dhe për t'i dhënë pak më shumë forcë duke i ndihmuar aty ku ata çalojnë, mendoj që do t'i ndihmonte më shumë për të pasur rezultate më të mira.

Por e theksova që është dhe prirje, pra është vetë lënda që është pak e vështirë, nuk është si lëndët e tjera dhe prandaj ndoshta rezultati është pak më i dobët.Nga niveli i notave, po patjetër, këto rezultate tregojnë përgatitjen që nxënësit dhe sa të përkushtuar kanë qenë ata gjatë viteve të gjimnazit....

EMISIONET