Protesta në Ditën e të Sëmurëve, Shehu: Kemi sot një sistem shëndetësor në agoni!

Protesta në Ditën e të Sëmurëve, Shehu: Kemi sot

Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu, ka përkujtuar ditën botërore të të sëmurëve, ndërsa thotë se falë keqqeverisjes së vendit nga mazhoranca socialiste sot kemi një sistem shëndetësor të gjithin në agoni.

Nisur nga kjo, Shehu i bën thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen protestës së opozitës mesditën e kësaj të shtune, si një mënyrë për të ndryshuar këtë sistem.

“Sot në Ditën e të Sëmurëve, një sistem shëndetësor në agoni! Një sistem, që nuk ka në “epiqendër e si motor zhvillimi pacientin”, që nuk është në funksion të tij:

1- Dita Ndërkombëtare e të Sëmurëve e gjen Shqipërinë me sistemin shëndetësor më të varfër në Kontinent, të “gërryer” nga PPP-të.

Me 2,1% e GDP nga buxheti, 0,8% nga kontributet direkte, ose konkretisht, me rreth 160 E për capitas në vit, disa herë kjo nën mesataren europiane.

Me një sistem financimi të tij monopol, të centralizuar e bllokues të progresit.

2- Me një ndër sistemet shëndetësore më antisocialë në botë, ku shpenzimet e tij prej 340 E për capitas, përballen në mbi 50% nga pagesat direkte të qytetarëve.

3- Kur dhe rimbursimi i medikamenteve të konsumuara është nën 50% të vlerës, përkundrejt 85-90% të duhur. Importohen rreth 220 ME medikamente e vlera e rimbursimit është 100 M E.

Ndërsa siguria medikamentoze, katastrofë!

4- Me një shëndetësi publike, që nuk u siguron qytetarëve shumë nga procedurat urgjente jetësore, duke ju thënë kështu: “O paguaj o vdis”!

5- Me numrin e shtretërve rreth 2,2 për 1000 banorë, shumë nën mesataren europiane.

6- Me një kujdes parësor publik të centralizuar, të pa pajisur e jo të shpalosur.

7- Me numrin e mjekëve nën 1 për 1000 banorë, disa herë neë Europën e Rajonin.

8- Me rrogat për mjekët e personelin më të ulëtin në Rajon, se me Europën jemi shumë larg.

Me një personel shëndetësor të diskriminuar e të pambrojtur.

Mjafton të kujtojmë së gjatë pandemisë humbën jetën 50 kolegë, duke na renditur kështu në vendin e tretë në botë për këtë.

9- Me një sistem vështirësisht të arritshëm nga pacienti, larg tij, si pasojë e keqmenaxhimit dhe centralizimit të tejskajshëm.

10- Siç pritej, këto deformime dolën qartësisht në pah gjatë pandemisë, e cila u kushtoi shqiptarëve rreth 22 mijë jetë të humbura, duke na vendosur ndër vendet e para në botë.

Si dhe 190 milionë euro të paguara nga “xhepi”, përballë një rimbursimi prej vetëm 300 mijë eurosh.

E gjithë kjo “katrahurë” ra dhe bie mbi kurriz të qytetarëve e të të sëmurëve. Prandaj duhet reflektuar e reaguar po sot, Ditën e të Sëmurëve, edhe në Bulevard në orën 12.00!”, shprehet deputeti demokrat Tritan Shehu.

EMISIONET