Presidenti Erdogan përmbyll vizitën në Shqipëri me inaugurimin e xhamisë së Et'hem Beut: Xhevahir në mes të Tiranës
Ceremonia e inaugurimit të xhamisë së Et'hem Beut shënoi edhe përmbylljen e vizitës një ditore të presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në vendin tonë.
Erdogan tha se kjo vepër xhevahir në mes të Tiranës reflekton vlerat e përbashkëta të Shqipërisë dhe Turqisë.
Erdogan: Ju falenderoj për durimin për besën dhe pritjen që më më keni bërë. E di që keni ardhur nga Shkupi, nga Shkodra. Keni pritur me orë të tëra. Sot këtu në Shqipëri jemi duke përjetuar një ditë shumë speciale. Janë vëllezërit e mi që kanë ardhur dhe nga Kosova. Po ndajmë në të njëjtën kohë lumturinë dhe kënaqësinë e inaugurimit dhe hapjes së këtyre veprave të restauruara nga TIKA.
Xhamia e Et'hem Beut i është nënshtruar një restaurimi të financuar nga TIKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim.
Erdogan tha se përmes Tikës nga '96 deri tani janë realizuar 546 vepra konkrete.
Erdogan: Dëshiroj që tani e tutje do vazhdojmë tu qëndrojmë pranë vëllezërve tanë shqiptarë. Uroj që deri në muajin e Ramazanit ta kemi zgjidhur edhe problemin e xhamisë së Namazgjasë.