Dy talentë të Prishtinës marrin ftesë nga PSG-ja / Mehmeti dhe Ahmeti do të provohen në akademinë e kampionëve të Evropës

Dy futbollistët e rinj të Prishtinës, Lorik Mehmeti dhe Rin Ahmeti, kanë marrë një mundësi të madhe për të treguar vlerat e tyre në një prej akademive më prestigjioze të futbollit evropian.
Paris Saint-Germain, kampioni aktual i Ligës së Kampionëve, i ka ftuar dy talentët kosovarë për një periudhë stërvitore dhe vlerësimi në akademinë e klubit francez në Poissy.
Sipas njoftimit të klubit të Prishtinës, Mehmeti dhe Ahmeti do të qëndrojnë në ambientet e PSG-së nga 27 korriku deri më 9 gusht 2026, ku do të stërviten dhe do të vëzhgohen nga stafi teknik i akademisë.
Kjo ftesë përbën një mundësi të rëndësishme për dy futbollistët e rinj, të cilët do të kenë mundësinë të shfaqin potencialin e tyre përpara trajnerëve dhe skautëve të një prej klubeve më të mëdha në Evropë.
Prishtina e ka cilësuar këtë ftesë si një vlerësim për punën, talentin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të akademisë së saj, e cila synon të prodhojë futbollistë të gatshëm për ekipin e parë dhe skenën ndërkombëtare.
Mehmeti dhe Ahmeti tashmë kanë përpara dy javë intensive në Francë, ku do të kërkojnë të lënë gjurmë dhe të bindin drejtuesit e akademisë së PSG-së për aftësitë e tyre.


