Portugezi që vrau Nikulajn u zbulua në udhëtimin e fundit Maltë - Marok, Saraiva u kap teksa zbriti në aeroport
Ruben Saraiva, njeriu kryesor që qëlloi plot 7 herë për vdekje në 19 Prill biznesmenin Ardian Nikulaj, është kapur pasditen e djeshme në aeroportin e kryesor të Marokut.
“Ora News” mëson se në 8 Maj, ai ka udhëtuar nga një aeroport i Maltës në drejtim të Marokut, ku është ulur në aeroportin e Rabatit.Por ky ka qënë udhëtimi i tij i fundit, gjatë periudhës së qëndrimit në kërkim.
Policia ka marë dijeni për këtë udhëtim dhe përmes ndihmës së ndërjelltë që Interpol Tirana i ka kërkuar Interpol Rabatit, është bërë e mundur arrestimi në ambjentet e aeroportit, i Ruben Saraivës, person ky mjaft i kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Saraiva në momentin e ndalimit mësohet se nuk ka bërë rezistencë, duke pretenduar se kishte mbëritur në Marok për qëllime turistike.
Njeriu që mbëriti në Shqipëri prej datës 14 shkurt 2023 vetëm me qëllim për të vrarë Ardian Nikulaj, për shkak se ky i fundit kishte probleme gjakmarje me familjen Lekstakaj, tashmë do i nënshtrohet një procesi ekstradimi me qëllim transferimin e tij në Shqipëri.
Saraiva, doli nga territori Shqiptar pikërisht pas vrasjes në Nikulajt në Shëngjin të Lezhës.
Në mbrëmjen e datës 19 Prill, duke përdorur pikën kufitare të Kapshticës. Prej kësaj date, për 19 ditë me rradhë, portugezi ka qëndruar në ishullin e Rodosit dhe Maltës.
Burime pranë grupit të hetimit bënë me dije se ditën e djeshme ai nga Malta ka udhëtuar në drejtim të Marokut, ku më pas është arrestuar nga policia, pas sinjalizimit që i ka bërë policia Shqiptare.
Aktualisht, në Britani të Madhe janë të arrestuar, Edmond Haxhia, porositësi dhe organizatori i atentatit mafioz, si edhe 3 bashkëpunëtorët anglezë që kanë luajtur rolin e vëzhguesit, Thomas Mithan, Steven Hunt, 35 dhe 49 vjeç si dhe Harriet Bridgeman, 28 vjeçe.
Për ta ka nisur procedura e ekstradimit për në Shqipëri, ndërsa një gjykatë në Londër ka ndryshuar masën nga arrest në burg në arrest shtëpie vetëm për Bridgeman.
Të katërt u larguan përmes aeroportit të Rinasit, por u kapën vetëm pak ditë më vonë në Londër.
Gjithçka dyshohet se ka ndodhur për gjakmarrje, për shkak të konflikteve me vrasje në të dyja fiset Lekstakaj dhe Nikulaj që në 1996-ën, ku fillimisht mbeti i vrarë Pëllumb Nikulaj.