Ekzekutohet kandidati i 14 majit e 25 prillit, Ardjan Nikulaj i PSD-së u vra nga 2 persona në Shëngjin
Ardjan Nikulaj, një biznesmen i njohur dhe politikan lokal në Lezhë u ekzekutua me armë zjarri në lokalin e tij në Shëngjin. Siç tregojnë pamjet e kamerave të sigurisë, vrasësi ishte i maskuar dhe qëlloi me plumb në kokë 50 vjeçarin që në zgjedhjet e 14 majit garonte për anëtar të Këshillit bashkiak të Lezhës. Hetimet janë shtrirë në disa pista, përfshirë edhe atë të një hasmërie të vjetër.
Ardjan Nikulaj, një biznesmen dhe politikan lokal në Lezhë, e pa në sy njeriun që e ekzekutoi me armë zjarri në lokalin e tij në Shëngjin, siç tregon kjo pamje e kamerave të sigurisë.
Vrasësi mbante në kokë skanfandër dhe fytyrën e fshihte pas një maske kirugjikale anti-Covid, ndërsa veshur një jelek fosforeshent, çka tregon se lëvizte me motor.
50-vjeçari Ardjan Nikulaj ishte i ulur në një tavolinë dhe duket është gjetur i papërgatitur përballë 6 plumbave me pistoletë nga gati 3 metra largësi.
Një goditje në ballë i shkaktoi vdekjen e menjëhershme në vend.
Në foto është edhe një person i tretë si dëshmitar okular, i cili mund të ketë dëgjuar edhe komunikime nësë ka pasur mes biznesmenit dhe ekzekutorit, por deri më tani nuk ka detaje.
Krimi i rëndë u shënua rreth orës 13:30 në një lokal në shëtitoren e Shëngjinit në pronësi të 50-vjeçarit Nikulaj.
Autori i vrasjes sipas dëshmive erdhi nga rruga që të çon në Shkodër dhe u largua në të njejtën rrugë.
Në vendngjarje ekzekutori ende i paidentifikuar veproi i vetëm, por ka dyshime se mund të jenë ndihmuar edhe nga persona të tjerë.
Disa orë pas krimit, policia e Lezhës mësohet se kreu kontrolle në tre banesa të familjes Balaj me të cilën familja e Ardian Nikulajt është në hasmëri.
Por aty mësohet se nuk u gjet asnjë nga djemtë e familjes Balaj, të cilët sipas sistemit TIMS ndodhen prej vitesh jashtë vendit.
Në vitin 2000 anëtarë të fisit Balaj kanë vrarë vëllanë e Ardian Nikulaj. Pas kësaj vrasje në Lezhë janë vrarë dy persona nga fisi Balaj dhe pak vite më vonë u ekzekutua vëllai i dytë në familjen Nikulaj.
50-vjeçari, Ardjan Nikulaj, rezulton pronar i disa bizneseve kryesisht në zonën e Shëngjinit dhe në zgjedhjet e 14 majit ishte kandidat per Këshillin Bashkiak si përfaqësues i Partisë Socialdemokrate.
Në zgjedhjet e vitit 2021, ai ishte kandidat për deputet për të njejtin subjekt politik.
Në formularin e dekriminalizimit ai ka pohuar se ishte me precedentë penalë.
Ardian Nikulaj ka qenë në vitin 2003 i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe në 2006 për kontrabandë e falsifikim.
Përfaqësues të politikës në Lezhë kërkuan nga policia zbardhjen sa më parë të vrasjes së kandidatit për këshilltar në mes të fushatës për zgjedhjet e 14 majit.