Plot 21 mijë qytetarë kërkojnë minimumin jetik. Peticioni dhe firmat dorëzohen në KQZ
Shqipëria është një nga vendet e vetme të rajonit dhe Europës që nuk ka të përcaktuar minimumin jetik. Aktivistët e shoqërisë civile kanë mbledhur 21 mijë firma të cilat i dorëzuan në KQZ me kërkesën që edhe Shqipëria të veprojë si vendet e tjera veçanërisht pas rritjes së çmimeve dhe vështirësimit të jetesës në vend.
Nënshkrimet e 21.000 të qytetarëve për të kërkuar vendosjen e minimumit jetik në Shqipëri u dorëzuan të premten, 9 dhjetor 2022 në KQZ.
Nisma ligjore për garantimin e minimumit jetik është ndërrmarrë nga Organizata Politike ku aktivistët e saj kanë mbledhur firma në terren.
"21 mijë nënshkrime janë mbledhur në kohë rekord brenda 2 muajsh dhe kjo falë qindra qytetarëve brenda Shqipërisë por dhe jashtë. I gjithë angazhimi tregon për domosdoshmërinë nevojën dhe emergjencën që ka vendi ynë për përcaktimin e minimumit jetik. "
Aktivistët shprehen se Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan dhe Europë që ende nuk ka vlerësuar zyrtarisht një minimum jetik të popullsisë.
“Ne nuk kemi minimum jetik dhe duhet përcaktuar një herë formula e minimumit jetik që më pas në varësi të inflacionit rritjes së çmimeve, të rritet dhe vlera e minimumit jetik.”
Sipas tyre, vendimi për dorëzimin e nismës në KQZ, erdhi për shkak të rritjes së numrit të qytetarëve që jetojnë në varfëri të cilët janë lënë pa ndihmën e nevojshme nga shteti.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.