Banka Botërore propozon reformë në shëndetësi/ Spitalet të financohen sipas rezultateve dhe cilësisë, jo më me buxhete historike

Banka Botërore propozon reformë në shëndetësi/ Spitalet

Banka Botërore rekomandon ndryshimin e mënyrës së financimit të shërbimeve shëndetësore në Shqipëri, duke propozuar një model ku pagesat lidhen me rezultatet, cilësinë dhe performancën e ofruesve të shërbimeve, në vend të buxheteve historike që zbatohen aktualisht.

Sipas raportit, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor administron rreth 67% të shpenzimeve publike për shëndetësinë, por roli i tij mbetet kryesisht ai i një administruesi buxheti. Financimi i spitaleve publike bazohet në buxhete historike, ndërsa pagesat e lidhura me aktivitetin dhe performancën përdoren në mënyrë të kufizuar.

Raporti vlerëson se modeli aktual krijon pak stimuj për rritjen e efikasitetit, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe përdorimin më racional të burimeve. Për këtë arsye, propozohet që Fondi të kalojë gradualisht në një sistem të blerjes strategjike të shërbimeve shëndetësore.

Për kujdesin parësor, rekomandohen pagesa të bazuara në kapitacion, të përshtatura sipas moshës dhe rrezikut të pacientëve, të shoqëruara me fonde për diagnostikën laboratorike dhe instrumentale, si edhe me tregues performance.

Për shërbimet ambulatore të specializuara propozohet kontraktim strategjik i ofruesve publikë dhe një skemë pagesash e ngjashme me atë që zbatohet për ofruesit privatë dhe partneritetet publike-private, me kufij buxhetorë për të shmangur zgjerimin e panevojshëm të shërbimeve.

Në nivel spitalor, raporti rekomandon kontraktim selektiv dhe financim të bazuar në volumin e shërbimeve ose në paketat e trajtimit, në përputhje me Planin Kombëtar të Spitaleve 2023–2030, duke zëvendësuar gradualisht buxhetimin sipas zërave të shpenzimeve.

Sipas raportit, një model më fleksibël financimi, i shoqëruar me më shumë autonomi menaxheriale dhe financiare për spitalet, do të krijonte mundësi më të mëdha për planifikimin e personelit, rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e performancës së sistemit shëndetësor./MONITOR 

Shënim: Ky material nuk është prodhim editorial i "Oranews.tv", por është ripublikuar nga "Monitor" për qëllim informimin e publikut mbi një çështje të pretenduar me interes publik. Përmbajtja e tij, përfshirë çdo pretendim, deklaratë, akuzë dhe opinion i atribuohet "Monitor". "Oranews.tv" mbetet e hapur për të publikuar çdo reagim, sqarim ose përgënjeshtrim nga personat, apo subjektet e përmendura në material, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

EMISIONET