Rubio ngre alarmin për Ngushticën e Hormuzit/ SHBA akuzon Iranin për presion ndaj botës dhe kërkon ndihmë nga aleatët

Tensionet rreth Ngushticës së Hormuzit vijojnë të rriten, ndërsa Shtetet e Bashkuara akuzojnë Iranin se po përpiqet ta përdorë këtë rrugë të rëndësishme detare si mjet presioni ndaj komunitetit ndërkombëtar.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kërkoi që aleatët e SHBA-së të rrisin angazhimin për mbrojtjen e transportit detar global, duke bërë të ditur se siguria e kësaj zone nuk duhet të jetë vetëm përgjegjësi e Uashingtonit.
Rubio u shpreh se Irani synon të kontrollojë Ngushticën e Hormuzit dhe ta përdorë atë si një mjet ndikimi ndaj vendeve të tjera.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e lëvizjes së lirë detare.
Komentet u bënë përpara nisjes së Rubios drejt Filipineve, ku ai do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).


