Turqia përkujton 10-vjetorin e tentativës për grusht shteti/ Erdogan: Kjo ditë mbetet simbol i rezistencës

Turqia përkujton 10-vjetorin e tentativës për grusht shteti/

Turqia përkujtoi 10-vjetorin e tentativës së dështuar për grusht shteti të 15 korrikut 2016, me ceremoni në mbarë vendin, homazhe për viktimat dhe një mesazh të Presidentit Recep Tayyip Erdogan për rëndësinë që kjo datë ka në historinë e vendit.

Aktivitetet kryesore u zhvilluan në Ankara, ku morën pjesë drejtues të institucioneve, familjarë të viktimave, veteranë dhe mijëra qytetarë.

Gjatë ceremonisë u lexuan emrat e 253 personave që humbën jetën në natën e tentativës për grusht shteti, ndërsa të pranishmit iu përgjigjën secilit emër me fjalën "Këtu!", në shenjë kujtimi dhe nderimi.

Në fjalimin e tij, Presidenti Recep Tayyip Erdogan e cilësoi 15 Korrikun si një fitore të popullit ndaj përpjekjes për rrëzimin e rendit kushtetues, duke bërë të ditur se kjo ngjarje do të mbetet pjesë e kujtesës historike të vendit. Ai përsëriti gjithashtu se lufta kundër organizatës FETO, të cilën autoritetet turke e konsiderojnë përgjegjëse për organizimin e tentativës për grusht shteti, do të vijojë.

Më 15 korrik 2016, një pjesë e ushtrisë turke tentoi të merrte pushtetin duke sulmuar institucione shtetërore, përfshirë Parlamentin në Ankara.

Pas thirrjes së Presidentit Erdogan që qytetarët të dilnin në rrugë, tentativa dështoi brenda pak orësh. Bilanci i ngjarjes ishte 253 viktima dhe mijëra të plagosur.

Pas ngjarjeve të vitit 2016, Turqia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe nisi hetime të gjera, gjatë të cilave mijëra ushtarakë, gjyqtarë, prokurorë, policë, akademikë dhe nëpunës civilë u pezulluan ose u arrestuan për lidhje të dyshuara me rrjetin e Fethullah Gülenit.

Dhjetë vjet më vonë, 15 Korriku vazhdon të përkujtohet si "Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar", ndërsa ngjarjet e asaj nate mbeten një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të Turqisë.

 

EMISIONET