Pas 29 vitesh Shqipëria del nga lista e vendeve në monitorim nga KiE me votë unanime

Shqipëria del nga lista e vendeve nën monitorim nga Këshilli i Evropës pas 29 vitesh me këtë status dhe përfshihet në një dialog postmonitorues.

Me 52 vota pro dhe një abstenim, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi rezolutën e komitetit të Këshillit të Evropës për Shqipërinë.

Shumica e anëtarëve vlerësuan reformat dhe progresin e vendit tonë për shtetin e të drejtësisë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut

Në dokument, vlerësohen në veçanti reforma në drejtësi, dhe ajo territoriale administrative.

Rezoluta njeh progres në luftën ndaj korrupsionit, por vlerëson se mbetet një fenomen ende I përhapur dhe sistematik në Shqipëri dhe në këtë synim thekson punën e SPAK.

Asambleja e KIE thotë se "kriza e stërzgjatur sistematike politike në vend kohët e fundit ka filluar të reduktohet", por shpreh shqetësim për se polarizimi politik minon sistemin e kontrollit dhe balancimit dhe po kufizon mbikëqyrjen parlamentare.

KIE kërkon largimin nga përdorimi i ndryshimeve të vazhdueshme në Kodin Zgjedhor si një mekanizëm për të ndryshuar balancën e pushtetit apo alternativat. për ndërveprim normal politik në kuadrin e parlamentit.

Në rezolutë thuhet se nuk është bërë aq sa duhet për mbrojtjen e pakicave dhe shprehet shqetësim për përkeqësimin e lirisë së medias.

Përfaqësues të Greqisë në Asamblenë e KIE ngritën çështjen, Beleri, por deputetët e mazhorancës theksuan gjatë diskutimeve se Ajo I takon drejtësisë e jo politikës

Ministri i Jashtëm Igli Hasani përmes një postimi e cilësoi raportin njohje nga KIE  e reformave transformuese të drejtësisë në Shqipëri, luftën kundër korrupsionit dhe përparimin e Shqipërisë sa i përket të drejtave të njeriut dhe demokracisë.

“Angazhimi i Shqipërisë ndaj standardeve të Këshillit të Evropës, ka qenë i palëkundur dhe përpjekjet tona të pandërprera më në fund po japin rezultatet e shumëpritura”, shkroi shefi i diplomacisë

Shqipëria është anëtarësuar në Këshillin e Evropës më 13 Korrik 1995.

 

EMISIONET