Ora News siguron dëshminë e dëshmitarit në vrasjen e Nikulajt në Shëngjin: Mendova se ishte klient, u fsheha kur nisi të qëllonte

Ora News siguron dëshminë e dëshmitarit në vrasjen e

Ora News ka siguruar dëshminë e dëshmitarit okular të vrasjes së kandidatit për bashkiak në Shëngjin Ardian Nikulaj.

Dëshmitari ka deklaruar se gjithcka ka ndodhur shumë shpejt dhe se autori vetëm i ka përshëndetur kur ka hyrë, dhe është afruar në tavolinën ku ndodhej i vetëm Ardian Nikulaj ku ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar.

Nga veprimet hetimore të kryera dhe konkretisht deklarimi i marrë nga dëshmitar okularë punonjes tek lokal "Coral", me pronar shtetasin Ardian Nikulaj,ky shtetas na bënë me dije se Ardiani banon në katin e shtatë të objektit ku ndodhet edhe lokali "Coral".

Ai zakonisht vinte tek lokali rreth orës 10:00, ku qëndronte në lokal deri në drekë, ku takonte njerez të ndryshëm për punë apo nevoja që kishin dhe më pas hante drekë në lokal.

Sot Ardiani ka ardhur tek lokali rreth orës 10:00, ku është ulur në tavolinë fillimisht vetëm dhe më pas kanë ardhur edhe persona të ndryshëm që nuk i mbaj mënd që janë takuar me të dhe kanë pirë kafe. Rreth orës 12;30- 13:00, kohë që unë kam qenë në banak, punonjësi tjetër ka qënë tek banaku pranë meje dhe i ulur në tavolinë përballë banakut ka qënë pronari Ardiani, vetëm, i cili ishte i përqëdruar tek telefoni që kishte në dorë, kohë kur në lokal nuk ka patur kliente.

Në këtë kohë ka hyrë në lokal një person mashkull, i cili ishte trup i gjatë rreth 190 cm, i shëndetshëm, i cili mbante veshur një veshje të trashë dhe një jelek pune jeshil sipër rrobave, ndërsa në kokë kishte skafandër dhe dorën e kishte në çantë, me rrip të lidhur në trup. Pasi është afruar afër banakut personi na ka përshëndetur mua dhe kamarierin duke na thënë; "si e kalut", ku në këtë çast unë dhe kamarieri po bisedonim me njëri- tjetrin dhe nuk e kishim shumë vëmëndjen tek personi në fjalë dhe kam vënë re se personi i lartpërmendur është afruar tek tavolina ku ndodhej Ardiani dhe pasi ka nxjerrë armën nga çanta ka filluar të qëlloje me armë pistoletë në drejtim të Ardianit.

Unë jam ulur poshtë banakut dhe kam dalë nga magazina në të djathtë të banakut, ku kam qëndruar deri sa kanë pushuar të shtënat dhe është larguar personi dhe më pas jam kthyer përsëri në lokal dhe e kam gjetur Ardianin të gjakosur në kokë dhe pa shenja jete. Në këtë moment kam njoftuar policinë në telefon për ngjarjen e ndodhur dhe kam pritur deri sa kanë ardhur ambulanca dhe policia.

I pytur nese e ka parë në fytyrë personin që qëlloi me armë dhe a jeni në gjëndje ta njihni po ta shikoje ai deklaron se personi kishte skafandër në kokë.

"Nuk kam arritur ta fiksoj fytyrën e tij në ato momente, pasi ndodhi gjithçka shumë shpejt dhe nuk e vlerësova fillimisht pasi mendova se do jetë ndonjë klient," tha ai.

Pyetjes aq sa komunikoi autori me ju se në ç'farë dialekti fliste dhe nga ç'farë zone mund të jetë, ai deklaron, "aq sa komunikoi autori siç deklarova edhe më lart kam dëgjuar se tha''si e kalut", nuk jam në gjëndje të them se nga cila zonë mund të ketë qënë, por mendoj se nga veriu ose shqipëria e mesme, pasi nuk mu duk dialekt jugor."

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

vrasje shëngjini biznesmeni ardian nikulaj

EMISIONET