Nxirren trupat e pajetë të dy të rejave nga humnera në Valbonë/ 3 turistë të vdekur dhe 1 i zhdukur në 24 orë

Janë nxjerrë nga humnera ku ranë në Valbonë trupat e dy turisteve që humbën jetën tragjikisht ditën e djeshme.

Baets Myrthe, 25 vjeçe nga Belgjika dhe Joanna Blocaille ranë në një zonë të thepisur teksa po eksploronin zonën në Qafë-Valbonë.

Mësohet se ato po lëviznin në aksin Valbonë-Theth pa asnjë shoqërues që njeh zonën dhe si pasojë e terrenit të ashpër dhe kushteve jo të favorshme atmosferike, me mjegull e borë, kanë rrëshqitur dhe kanë përfunduar në greminë.

Për të mundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë shkuan në vendngjarje shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes.

Grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së dy turisteve.

Ndërkohë po në ditët e fundit, një turist holandez dyshohet se ka humbur jetën në lumin Osum, pasi e ka marrë rrjedha ku ishte futur për të notuar së bashku me gruan e tij. Gjetja e trupit të 68-vjeçarit është e vështirë për shkak të prurjeve të shtuara në lumin Osum.

Bilanc tragjik për turistët e huaj ishte dhe aksidenti i ndodhur dje në Përrenjas, ku humbi jetën një 56 vjeçare me kombësi gjermane. Ajo ishte duke udhëtuar me partnerin e saj, në momentin kur mjeti i tyre është goditur nga një trajler që transportonte mallra, dhe që drejtohej nga një shtetas serb.

Çifti mësohet se po udhëtonte me një mjet të marrë me qera. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti me një të vdekur.

EMISIONET