NGA SOT NIS ZBATIMI I AMNISTISË PENALE/ 1335 të burgosur përfitojnë lirinë, jashtë ligjit mbeten të dënuarit e...

NGA SOT NIS ZBATIMI I AMNISTISË PENALE/ 1335 të burgosur

Nga dita e sotme ka nisur zbatimi i ligjit për amnistinë penale, i cili u miratua nga Kuvendi më 18 qershor dhe u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj më 30 qershor.

Nga ky ligj përfitojnë 1335 persona të dënuar, mes tyre gra dhe të mitur, ndërsa mijëra të tjerë përfitojnë faljen e ndjekjes penale për kundërvajtje dhe vepra me rrezikshmëri të ulët.

Amnistia zbatohet për të gjithë personat që kanë marrë një vendim të formës së prerë deri më 31 maj të këtij viti, përfshirë edhe rastet kur vendimi i Gjykatës së Apelit ende nuk është zbardhur.

Ligji parashikon lirimin e burrave të dënuar me burg deri në tre vjet ose me dënime më të lehta, si dhe të grave të dënuara me burg deri në katër vjet. Përfitojnë edhe të burgosurit që janë duke vuajtur dënimin dhe u kanë mbetur deri në tre vjet burg për burrat dhe deri në katër vjet për gratë.

Një nga kriteret kryesore është edhe mosha. Përfitues janë burrat mbi 60 vjeç, gratë mbi 50 vjeç dhe personat që kanë qenë nën 18 vjeç në momentin e kryerjes së veprës penale, me përjashtim të rasteve kur janë dënuar për vepra të rënda që nuk përfshihen në amnisti.

Jashtë këtij ligji mbeten personat e dënuar për vrasje me dashje, krime kundër jetës, krime kundër njerëzimit, përdhunim, krime seksuale, trafikim të qenieve njerëzore dhe një sërë veprash të tjera të rënda penale.

Nuk përfitojnë as personat që janë fshehur, janë arratisur ose kanë shmangur ekzekutimin e vendimeve penale.

Amnistia nuk zbatohet as për personat që janë gjykuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) apo për çështjet që janë në juridiksionin e SPAK, pavarësisht veprës penale për të cilën janë dënuar.

Përveç lirimeve nga burgu, ligji parashikon edhe faljen e ndjekjes penale për mijëra persona të përfshirë në kundërvajtje dhe vepra penale me rrezikshmëri të ulët.

EMISIONET