"Në 2022 dyndje në kufi", INSTAT: 5.8 mln shqiptarë u larguan nga vendi, erdhën 7.5 mln të huaj
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2022, është 7.5 milionë persona. Në raportin e publikuar së fundmi nga INSTAT, thuhet se pushimet, vizitat shëndetësore dhe kalimi tranzit janë arsyet e vizitorëve, por nuk kanë munguar as qëllime fetare. Ndërsa nga ana tjetër, rritje ka pësuar edhe numri i shtetasve shqiptarë që ikin nga Shqipëria.
Viti 2022 ka shënuar rritje të ndjeshme të kalimit të kufirit shqiptar.
Sipas INSTAT, të huaj që kanë vizituar vendin ton deri në fund të dhjetorit, shkon në rreth 7 milionë e pesëqind mijë, duke u rritur me 32,6%.
Bie në sy se qëllimi i udhëtimit të vizitorëve dhe turistëve përveçse janë për pushime, trajtime shëndetësore apo udhëtarë tranzit, janë edhe për qëllime fetare. Sipas raportit janë 495 shtetas të huaj që janë futur në Shqipëri për këtë qëllim, ose 1.4% më shumë se një vit më parë.
Ndërsa gjatë gjithë vitit 2022, vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, janë Spanja dhe Anglia, ndërsa Zvicra ka pësuar rritjen më të ulët, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Ndërkohë është rritur me 27,9% hyrja e shtetasve nga pikat kufitare tokësore krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare.
Nga ana tjetër rritje ka pësuar edhe numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin 2022, ku sipas INSTAT janë 5.882.007 shtetas, duke u rritur me 40,4%, krahasuar me vitin e mëparshëm.