Ndezi zjarr për të djegur mbeturinat, përfundon në burg
Një 67-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi ka ndezur zjarr për të djegur disa mbeturina, flakët kanë dalë jashtë kontrolli duke djegur edhe sipërfaqe të tjera toke.
Ndezi zjarr për të djegur disa mbeturina, në tokën e tij, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën sipërfaqe me pemë frutore dhe me shkurre, në pronësi të disa shtetasve të tjerë, vihet në pranga.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, sapo janë njoftuar për një vatër zjarri në fshatin Hajdaran, kanë shkuar menjëherë në këtë zonë dhe kanë kryer veprimet hetimore për identifikimin e autorit të zjarrvënies.
Si rezultat, është identifikuar, kapur dhe arrestuar autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi Xh. T., 67 vjeç, banues në fshatin Hajdaran.
Shtetasi Xh. T. dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën në pronësi të tij, për djegien e disa mbeturinave, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur disa sipërfaqe toke me pemë frutore dhe me shkurre, në pronësi të shtetasve të tjerë.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës.