NAMI NË KADASTRËN E DIBRËS/ Falsifikuan dokumentet, ekzekutohen 14 masa sigurie për disa punonjës, 3 në kërkim (VIDEO)

Një hetim prej 7 muajsh është finalizuar nga Policia. Nga hetimet është zbardhur një skemë kriminale e falsifikimit të dokumenteve, me qëllim tjetërsimin e pasurive të paluajtshme.

Mësohet se lidhur me këtë rast janë ekzekutuar 14 masa sigurie, për punonjës dhe ish-punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër dhe për disa shtetas familjarë të njëri tjetrit, në favor të të cilëve dyshohet se janë tjetërsuar pronat. Ndërsa në kërkim janë shpallur edhe 3 të tjerë.

Njoftimi

Operacioni, rezultat i një hetimi 7-mujor, për zbardhjen e një skeme kriminale të falsifikimit të dokumenteve, me qëllim tjetërsimin e kundërligjshëm të pasurive të paluajtshme.

Ekzekutohen 14 masa sigurie, për punonjës/ish-punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Dibër, dhe për disa shtetas, familjarë të njëri-tjetrit, në favor të të cilëve dyshohet se janë tjetërsuar pronat.

Shpallen në kërkim 3 shtetas.

Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në kuadër të një hetimi 7-mujor, me metoda proaktive, të ndjekur në koordinim me Prokurorinë e Dibrës, me objektiv dokumentimin e përgjegjësisë penale të disa shtetasve të përfshirë në mënyrë të organizuar në një skemë për tjetërsimin e kundërligjshëm të pronave të paluajtshme në Dibër, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, u finalizua operacioni i koduar “Tjetërsimi”.

Në kuadër të këtij operacioni, në zbatim të vendimin të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, u ekzekutuan masat e sigurisë:

– “Arrest në burg”, për shtetasit Teshar Doçi dhe Fatjon Çakrri, familjarë të njëri-tjetrit, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim;

– “Arrest në shtëpi”, për shtetasit K. Xh., Ish-specialist matjesh në terren në AshK, Dibër, dhe R. L., me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Legalizimeve në AshK, Dibër, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim;

“Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, për shtetasit:

– E. V., me detyrë Hartograf në AshK, Dibër;

-G. H., me detyrë Përgjegjëse e Sektorit të Legalizimeve në AShK, Dibër, Ish-juriste e këtij sektori;

-V. Gj., me detyrë Juriste në Sektorin e Shërbimeve Kadastrale në AShK, Dibër;

-Xh. H., me detyrë Hartografe në Sektorin e Legalizimeve në AShK, Dibër;

-D. D., me detyrë Hartografe në Sektorin e Shërbimeve Kadastrale në AShK, Dibër;

-F. P., me detyrë Hartografe në Sektorin e Shërbimeve Kadastrale në AShK, Dibër.

Gjithashtu, e njëjta masë u ekzekutua për shtetasen E. D. (bashkëshortja e shtetasit T. D.), për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.

U shpallën në kërkim:

– Danjel Gjura, me detyrë Zëvendësdrejtor i AShK, Dibër, Ish-drejtor i këtij institucioni, për të cilin është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim;

-A. M., me detyrë Notere, për të cilën është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim;

-N. U. (familjar i shtetasit T. D.), për të cilin është caktuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.

“Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe vijon hetimi për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari.”- njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

EMISIONET