Fenomeni i përndjekjes, kryeson Korça dhe Fieri! Në Tiranë 66-vjeçari ndoqi të renë

Fenomeni i përndjekjes, kryeson Korça dhe Fieri! Në Tiranë

Disa e gjejnë njëri- tjetrin dhe përfundojnë në martesë, por është edhe ana tjetër, e atyre që ndahen.

Dhe mes tyre apo kujtdo që refuzohet, ka nga ata që kthehen në ankthin më të madh të ish partnerit. Prokuroria numëron 164 persona të denoncuar për përndjekje nga njëri prej partnerëve, që ka vrapuar në polici duke rrëfyer se si nga ankthi ndryshoi stilin e të jetuarit.

Por 66-vjeçari edhe pse i martuar akuzohet se e përndoqi një vajzë të re për 4 vite me radhë. Në disa raste ai i shkroi mesazhe kërcënuese se do ta vriste nëse ajo krijonte një lidhje tjetër. Burri për një kohë të gjatë frekuentoi të njëjtat vende ku qëndronte edhe e reja, për të cilën nëna e saj kujton në polici se e njohu mbasi familja i kishte sygjeruar të hynte në politikë sepse gjente punë të mirë.  E reja thotë në fashikullin që Top Channel disponon

“Personin e kam njohur në zyrat e forumit rinor të një partie Socialiste ku ai ishte një ndër drejtuesit. Më premtoi se me mbylljen e rezultatit të zgjedhjeve do më ndihmonte të punoja si drejtoreshë në një institucion”.

Por vajza jo vetëm që nuk u punësua, por ajo u nda nga i dashuri dhe më pas mori mesazhe kërcënuese e ndjekje këmba këmbës. Nën sugjerimin e familjes se po mashtrohej, e reja ndryshoi adresë duke u punësuar diku tjetër. Ndërkohë që i tha policisë se për shkak të shqetësimeve u shtrua në spital mbasi kishte tentuar të vetëvritej. I dyshuari u arrestua për përndjekje dhe aktualisht mbahet nën arrest shtëpie me vendim gjykate. Por edhe 66 vjecari ka dhënë versionin e tij për policinë duke kujtuar se kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje dhe se me vajzën pati një lidhje pesë vjeçare, në fund të të cilës e telefononte për ta pyetur mbi jetën.

Përndjekja parashikohet në Kodin Penal si një vepër kundër moralit dhe dinjitetit. Prokuroria e përgjithshme deklaron se krahasuar me dendësinë e popullsisë për 100 mijë banorë, ky krim rezulton më tepër i kryer në qytetin e Korçës dhe të Fierit. Megjithatë të njëjtat të dhëna të prokurorisë së përgjithshme veçojnë se më të ndërgjegjësuarit për të denoncuar vijojnë të jenë banorët e Tiranës./tch

EMISIONET